“U vra për hakmarrje”: Ja si na zhvati Festim Lato në emër të Çamërisë
Festim Lato u varros sot në vendlindjen e tij në Vlorë, por jehona e aktivitetit të tij të mashtrimit në Holandë, ku u ekzekutua disa ditë më parë vijon ende. Mediat holandeze i kanë kushtuar një artikull të gjatë dhe me dëshmi nga ‘viktimat’ që kishin rënë pre e mashtrimit të vij prej vitesh. Ai akuzohet se ka mashtruar me dhjetëra biznesmenë dhe vrasja e tij dyshohet se lidhet pikërisht me këtë gjë. Një noter dhe disa ish-partnerë të tij kanë dëshmuar për mediat holandeze duke treguar si funksiononte sipërmarrja e mashtrimit të shqiptarit. I vetëshpallur si president i Çamërisë, ai deklaronte se funksiononte si qeveri në mërgim i kësaj republike.
Nën maskën e luftës për një Çamëri të pavarur, Lato iu afrua dhjetëra sipërmarrësve në Holandë. Njëri prej tyre ishte “Vincent”. Pjesërisht për shkak të ‘qëllimeve të mira’ të Latos, “Vincent” – i cili për shkak të frikës së hakmarrjes nuk dëshiron të tregojë emrin e tij të vërtetë -thotë se i dha ‘një shumë me pesë zero‘ Latos, i cili i kishte bërë disa premtime. “Ne shkuam në një takim ku tha se republika ishte themeluar dhe kjo ishte mjaft zyrtare, me diplomatë e njerëz me status” tha ai. Një tjetër ish-punonjës i Latos konfirmoi se “Vincent” ishte vetëm një nga shumë viktimat e mashtrimit. Ai thuhet se ka pasur ‘të paktën shtatë milionë euro‘ thotë një tjetër ish-punonjës, ndërsa në prill të këtij viti falimentoi. Sipas ‘Vincent’ vitin e kaluar Lato ishte duke u ndjekur nga policia. Hetimi kishte nisur pas denoncimit të personave që Lato kishte mashtruar. Por një zëdhënës i policisë nuk pranon të komentojë.
Një “figurë mafioze“, thotë një tjetër. “Ai gjithmonë kishte mijëra euro të gatshme“, thotë një tjetër. Në shtëpi, Lato kishte një grup shqiptarësh të fortë rreth tij. “Dhe gjatë udhëtimeve ne ishim të shoqëruar nga truproja private të armatosura, qëndronim në hotele luksoze dhe lëviznim në Mercedes të blinduar“, thotë një holandez që ka punuar për të. Ish-punonjësit thonë se Lato nganjëherë mbante një armë me vete dhe se ai dikur e kishte kërcënuar një prej kërcënuesve të tij me të. Për vite të tëra, “luftëtari i lirisë” Lato arriti të mbajë lart paraqitjet, thonë ish-punonjësit. ‘Ai u bashkua me organizatat ndërkombëtare, organizoi konferenca dhe shkoi në Parlamentin Europian në Bruksel dhe Pallatin e Paqes në Hagë. Lato bënte shpesh foto para flamujve të vendeve evropiane dhe me personalitete“. Drejtori i Pallatit të Paqes Erik de Baedts u shpreh se “Nuk e kemi njohur kurrë. Në qoftë se nuk do të kishte vdekur do të kishim marrë masa ligjore” pas falsifikimeve të shumta që ai kishte bërë.
Një noter zbërthen akoma më shumë skemën e mashtrimit të Latos. “Ky njeri ka shkaktuar shumë mjerim. Ai çoi shumë familje në humnerë financiare duke i mashtruar për Çamërinë. Ai kishte falsifikuar dokumentet zyrtare, për të bërë të duket se organizata e tij kishte miliona euro nga Bashkimi Evropian. Ai u kërkoi njerëzve dhjetëra mijëra euro. Njerëzit e përfshirë pastaj do të shpërbleheshin bujarisht për këtë. Në disa raste ai përfshiu njerëz të ndryshëm në dorëzani dhe i vuri nën kontroll” thotë noteri, i cili shton se dëshiron të mbetet anonim për shkak të detyrës së tij të fshehtësisë. “E kuptoj se paratë që ai vodhi shkuan në Shqipëri. Duhet të ketë miliona euro. Si vdiq ai? Duket shumë e mundshme që të jetë hakmarrje. Me sa duket ai u ngatërrua me personin e gabuar” tha ai.
Kush ishte Festim Lato?
I vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ ai lindi në Vlorë në vitin 1976, ndërsa jetonte në Holandë. Ai e fitoi shtetësinë holandeze, pasi u martua me një turke me shtetësi holandeze. Lato ishte vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’, ndërsa në Shqipëri ka një histori të gjatë me drejtësinë. Në Shqipëri ishte shpallur ‘non grata’ dhe ish-kryeministri Sali Beriaha ja kishte ndaluar të vinte në Shqipëri.
Ai është dënuar disa herë për mashtrim, pas denoncimeve nga shumë persona. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë ai është denoncuar dhe akuzuar për mashtrim me mijëra euro, që u merrte qytetarëve të ndryshëm me justifikimin për kauzën e Çamërisë. Në profilin e tij në faqen e Facebook-ut ai ka publikuar disa foto nga aktivitetet që sipas tij realizonte në Bruksel dhe vende të tjera për kauzën çame.
Kundër tij nuk kanë munguar demaskimet për mbledhjen e fondeve përmes mashtrimeve, por që nuk kanë asgjë serioze për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Historiani Arben Llalla në një shkrim në vitin 2017 e cilësonte si mashtrues që gënjente në emër cështjes çame. /shqiptarja.com
Fraksion.com