SHBA: Gjykata e Lartë vendos në favor të Presidentit Trump për çështjen e murit
Me një vendim 5 me 4, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi në favor të Presidentit Donald Trump, duke i dhënë atij mundësinë të përdorë miliarda dollarë fonde të buxhetit federal për të realizuar premtimin e tij kryesor të fushatës, ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën.
Vendimi i së premtes rrëzon vendimin e një gjykate të një niveli më të ulët, që u la në fuqi nga gjykata e apelit, për ngrirjen e fondit të Departamentit të Mbrojtjes prej 2.5 miliardë dollarësh. Fondet ishin kërkuar nga administrata Trump për ndërtimin e murit në kufirin SHBA-Meksikë.
“Fitore e madhe për sigurinë kufitare dhe sundimin e ligjit”, tha Presidenti Trump në Twitter pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Dror Ladin, jurist për sigurinë kombëtare në Unionin Amerikan për Liritë Civile, i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se“Komunitetet kufitare, mjedisi dhe ndarja e kompetencave e përcaktuar në Kushtetutën tonë do të dëmtohen përgjithmonë nëse zoti Trump lejohet të vazhdojë me plaçkitjen e fondeve ushtarake për një mur kufitar ksenofobik, ndërtimi i të cilit është kundërshtuar nga Kongresi.”
Fraksion.com