AktualitetPolitikëTë fundit

“Presim tetorin për negociatat”; Ambasadorja franceze: Nuk ka diçka të mbyllur

Ambasadorja franceze në Shqipëri, Christine Vasak u shpreh se duhet një zgjidhje për situatën politike në Shqipëri, por atë nuk mund ta zgjidhin diplomatët e huaj.

Vasak foli nga Korça për situatën politike në vend. “Për politikën shqiptare asnjëherë nuk themi asnjëherë. Nuk mund ta fsheh, të gjithë e dimë që situata është e tillë jemi në një krizë politike, nuk kam asnjë dyshim që në të gjitha anët dhe nivelet ka njerëz të arsyeshëm që janë duke kërkuar një zgjidhje. Ju e dini mirë që nuk është një diplomat i huaj që duhet t’i japë një zgjidhje kësaj situate, por njerëzit e këtij vendi meritojnë një zgjidhje të arsyeshme”, deklaroi ambasadorja franceze.

Vasak komentoi edhe bisedën telefonike të Kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. “Siç mund ta dini para 3 ditësh ka pasur një telefonatë midis presidentit Macron dhe zotit Rama. Kjo është diçka e mirë, pozitive, unë nuk mund të them diçka me detaje, sepse nuk isha gjatë kësaj bisede, por e vlerësoj”, tha ajo.

Për sa i përket procesit të integrimit në BE të Shqipërisë, Vasak tha se “nuk ka diçka të mbyllur, sepse ka ende kohë deri në muajin tetor dhe mund të ndodhin shumë gjëra deri atëherë”.

Ajo theksoi se Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera në rajon, ka vendin e saj në Bashkimin Europian.

 

Fraksion.com