AktualitetPolitikëTë fundit

Rama zhduk Ditmir Bushatin në takimet me Veriun; Ish Ministri gati t’i bashkohet LSI-së

Deputeti tradhëtar nga radhët e socialistëve, Ditmir Bushati ka nisur të zbatojë vendimin e kryeministrit Rama. Bëhet fjalë për shkarkimin e tij live si koordinator për qarkun e Shkodrës dhe zëvendësimin me të porsazgjedhurin në krye të bashkisë, Valdrin Pjetri.

Dhe jo më shumë se tre ditë nga kjo vendimmarrje, Bushati ka nisur të bindet dhe nuk është paraqitur në mbledhjen e lajmëruar me prezencën e deputetëve dhe të kryebashkiakëve të zgjedhur në 30 qershor.

Por askush nuk beson se kjo është një “qejfmbetje” e asaj të marte, kur Rama foli për tradhëti dhe pabesi nga socialistët. Për Ditmir Bushatin “viza politike” ka kohë që skalitet në mendjen e shefit të qeverisë, madje nuk është e tepërt të thuhet se nis që në janarin e këtij viti.

Pakënaqësitë e Ramës janë strukturuar ndjeshëm, kur Presidenti Meta nuk pranoi me dekret shkarkimin e tij si ministër i Jashtëm dhe zëvendësimin me shqiptarin e Kosovës Gent Cakaj.

Këtu u fol për herë të parë për një afrim të Bushatit me Metën, e përkthyer ashiqare në një afrim me Lëvizjen Socialiste për Integrim, gjë që duket më e afërt tashmë, pas zhvillimeve të fundit në kampin socialist.

Por, jo më pak ka pasur qëndrime edhe të mëvonshme të Bushatit, krejt të kundërta me linjën e PS, disa herë mediatike dhe me nota të zbutura, ndërsa në disa të tjera më të ashpra

Por a është Bushati i vetmi socialist i vjetër dhe madje me post ministri për thuajse gati 6 vjet, që do të jetë “prurje” e re në LSI?!

Shumë mendojnë se nuk do të jetë i vetmi. Më i pritshmi ndër të tjerë socialistë që do reshtohen në Lëvizjen Socialiste për Integrim është edhe Arben Malaj. Ndëshkimi që po i bëhet Malajt nga të vetët, duke e shkarkuar si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë është “motivi” për një afrim të shpejtë, të menduar madje edhe si të logjikshëm drejt LSI, forcës që “lufton” në opozitë./Gazeta Shqip

 

Fraksion.com