AktualitetBota+Të fundit

“Përshkallëzohen tensionet në Gjirin Persik”; SHBA: Irani ka bërë prova me raketë me rreze të mesme

Irani ka kryer një provë me raketë me rreze të mesme veprimi, duke përshkallëzuar tensionet në rajonin e Gjirit Persik. Njoftimi u bë nga një zyrtar i ushtrisë amerikane.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti të enjten, tha se Irani kishte lëshuar një raketë Shahab-3 ditën e mërkurë e cila nuk kërcënonte anijet apo bazat ushtarake amerikane në këtë rajon.

Raketa e nisur nga bregu jugor i vendit fluturoi për rreth 1,100 kilometra në të gjithë Iranin derisa u ul në lindje të kryeqytetit të Teheranit.

Sipas zyrtarit amerikan, Uashingtoni e kishte vëzhguar nga afër vendin ku Irani po përgatiste lëshimin e raketës.

Prova me raketë vjen në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur edhe më tej pas sulmeve të fundit ndaj anijeve-cisternë dhe dronëve që nxitën SHBA-në t’u bëjë thirrje aleatëve të mbrojnë korridoret ujore të kalimit të anijeve në këtë zonë.

Provat me raketa nga Irani nuk janë në shkelje të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, marrëveshje nga e cila SHBA-ja u largua një vit më parë. Por megjithatë një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i bën thirrje Iranit të mos përfshihet në veprimtari me raketa balistike të afta për të mbajtur mbushje bërthamore.

 

Fraksion.com