AktualitetPolitikëTë fundit

Luan Rama replikë me Arben Malajn: Jo përfitim politik te TK

Ish-deputeti i LSI Luan Rama me anë të një statusi në “Facebook” ka replikuar me Arben Malajn, i cili ka shkruar më herët se kauza te Teatri nuk duhet të politizohet.

Luan Rama thotë se e njeh Malajn që kur ai ka qenë i angazhuar herët në PS. Sipas Luan Ramës, sot ka kauza me rëndësi që prekin të gjithë dhe duhet që të kenë edhe mbështetje politike.

Postimi i Luan Ramës:

E ndoqa me vëmendjen e zakonëshme praninë dhe fjalën me shumë emocion njerëzor dhe qytetar të mikut e kolegut tim të hershëm në Partinë Socialiste e më pas, të Arben Malajt, individualitet me kontribute të vyera politike e qeverisëse, në protestën qytetare për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga vjedhja shtetërore me ligjin antikushtetues të Kuvendit, dhe më vjen mirë ta gjej atë qëndrim koherent me natyrën, angazhimet dhe përgjegjësitë qytetare, publike e politike të tij.

Duke qenë në një mendje me të se: “Podiumi i Teatrit Kombëtar nuk mund të keqpërdoret për asnjë përfitim politik nga asnjë parti politike”, siç shkruan Beni në një status të bërë publik në profilin e tij në fb, e gjej me vend gjithashtu të saktësoj se shprehja “nuk mund të keqpërdoret”, nuk do të thotë të mos mirëpërdoret, edhe politikisht po aq sa publikisht, edhe shqiptarisht po aq sa edhe intelektualisht, për të mbrojtur jo thjeshtë një ndërtesë, por një kauzë që ka në themel mbrojtjen e ligjshmërisë dhe të interesit publik, përkundër një praktike kriminale vjedhjeje e shpërdorimi, në rastin konkret edhe ndaj të gjithë hapsirës publike ku gjendet Teatri Kombëtar, që fatalisht e mjerisht implikon në këtë vepër kriminale edhe partinë e solidaritetit njerëzor, të humanizmit e drejtësisë sociale, të cilës unë dhe Beni iu dedikuam me gjithë fuqinë e shpirtit në kohë ndryshimesh të mëdha e luftërash të padrejta që na imponoi rregjimi antipopullor poskomunist.

Për këto arsye, por edhe si një qytetar i angazhuar tërësisht në politikë në 30 vjet me rradhë, i jap vetes të drejtë të debatoj miqësisht me qëndrimin më të fundit të Arben Malajt, pasi më duket i çuditshëm kompleksi i tij politik në Benin “apolitik” ndaj rolit të politikës në jetën e vendit.

“Ju kam thënë se kam frikë se mos politika ju vjedh kauzën”, thotë Beni, teksa iu drejtohet artistëve në statusin e vet, pa na thënë se çfarë duhet të bëjmë kur pushteti po vjedh e vret jo vetëm kauzën që e artikuluar në mbrojtje të Teatrit Kombëtar nuk është më vetëm e artistëve, por e të gjithë artdashësve dhe e gjithë qytetarëve, por po vjedh edhe pronat e hapsirat publike, po vjedh qytetin dhe biografinë historike e kulturore të tij?

Nëse politika nuk është e angazhuar në të tilla kauza të mëdha e në krah të qytetarëve, përse duhet e kujt djallin i shërben?!

Ndaj, “këshillën” e ndjerë natyrisht e krejt të sinqertë të Arben Malajt, e gjej jo të pavend, por të gabuar dhe të dëmshme. Politika ka detyrime dhe përgjegjësi për të përmbushur përballë qytetarëve dhe vendit. Por nëse ajo u shmanget këtyre përgjegjësive, sidomos sot kur vendi është në zgrip e demokracia e dhunuar, kur qeverisja është tërësisht e kriminalizuar dhe institucionet të kapura, kur kriza kushtetuese, parlamentare, qeverisëse dhe mbi të gjitha kriza e besimit po vret shpresën tek e ardhmja, kur tjetër duhet të angazhohet e të ballafaqohet edhe politika me qytetarët? Kur tjetër duhet të dëshmojë ajo që është mision shërbimi ndaj interesave të vendit?

Kompleksi i “politizimit” që synon t’a mënjanojë angazhimin e politikës si institucion në sfidat e shoqërisë e të vendit, nuk bën tjetër, por favorizon më tej abuzivizmin e kriminalizimin e qeverisë, zgjat agoninë dhe e bën atë bashkëfajtore po aq sa ata që pasi vodhën me mbështetjen e grupeve kriminale zgjedhjet, po e përdorin pushtetin për të vjedhur pasurinë publike e kombëtare.

Ndaj miku im Ben, mos ji i kompleksuar nga angazhimi politik, sepse i tillë je edhe kur do të prezantohesh si apolitik. Mos ji i kompleksuar as prej përdorimit politik e me angazhimin qytetar edhe të politikanëve, të podiumit të Teatrit Kombëtar apo tek banorët e Unazës së Re e gjetiu, gjithkund ku shfaqet babëzi e makutëri, vjedhje e shpërdorim kriminal i pushtetit.

E sa për atë këshillën tjetër që na thua se: “Publikisht kam këshilluar bëni kujdes nga çdo politikan sepse ata kanë shpirt kafshërore dhe për fitore politike te vrasin”, ma do mendja se nëse e lexon sërish, duhet të ndjehesh keq e i penduar, sepse as ti dhe as unë, e si ne edhe dhjetëra të tjerë që fati apo dëshira e tyre ua imponoi të zgjedhin si profesion politikën, nuk kemi asnjë shenjë a premisë të atij që ti pa e ditur ndoshta e quan “shpirt kafshëror”.

Edhe nëse në formësimin e kësaj shprehjeje je nxitur prej aksionit politik e të paligjshëm të një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për shkarkimin tënd nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë, prapë nuk mendoj se ata janë dëshmi e shpirtit kafshëror të politikanëve.

Politikanët, njësoj si artistët apo edhe si ekonomistët, si mjekët e inxhinierët, por edhe si bujqërit e blegtorët, si studentët e pedagogët, si punonjësit e policisë dhe, edhe si ata që për shkak të kundërvënies ndaj ligjit janë brenda qelive të burgut, janë më së pari njerëz krejt të zakonshëm e qytetarë të ketij vendi.

Por, nëse ka ndër ta me “shpirt kafshëror”, kjo nuk është arsye për t’i përfshirë të gjithë nën një emërues e për shkak të kësaj paradigme të kërkojmë që politika të bëjë sehir e të mos iu përgjigjet sfidave qytetare e atdhetare, sa herë thërritet në apel e kur i duhet ti përballojë këto sfida. Politika është angazhim, është përgjegjësi, por është edhe detyrim për të gjithë ata që i janë dedikuar asaj.

 

Fraksion.com