AktualitetRajoniTë fundit

Hahn: Të vazhdojnë reformat në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut e meriton që në tetor të marrë dritën e gjelbër për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë në Shkup, komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn.

Megjithatë, ai tha se për të realizuar këtë, është e domosdoshme që Maqedonia Veriore të vazhdojë të zbatojë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit – duke miratuar ligjin mbi prokurorinë publike dhe luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit.

“Shtetet anëtare do të monitorojnë nga afër procesin, por të gjitha ato që po bëhet është kryesisht për të mirën e qytetarëve. Sundimi i ligjit është thelbësore që ata të kenë besim në institucionet, por edhe se vendi ëshë i qëndrueshëm, politikisht dhe ekonomikisht”, ka thënë Hahn në një konferencë shtypi pas takimit me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.

“Është koha që BE-ja të përmbushë detyrimet e saj ndaj Maqedonisë së Veriut”, shtoi Hahn.

Ai përmendi marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit si një të arritur të madhe për Maqedoninë e Veriut.

Në anën tjetër, kryeministri Zoran Zaev, u shpreh i bindur se në tetor vendi do të marrë datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Këshilli e Bashkimit Evropian në takimin e qershorit, nuk ka ofruar datë për nisje të bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, duke përmendur si arsyetim procesin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian dhe siç është thënë publikimin e vonshëm të Raportit të Progresit.

 

Fraksion.com