Shqipëria turistike shënon rekord vizitorësh gjatë muajit qershor
Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion tërheqës për turistët e huaj, ku vetëm gjatë këtij muaji numri i tyre ka shënuar një fluks të lartë krahasuar me vitet e mëparshme.
Atraksionet më të spikatura shqiptare, vlerat natyrore, kulturore dhe historike të Shqipërisë turistike nga jugu në veri, kanë tërhequr turistë nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Zvicra, Italia, Anglia, Gjermania, Polonia apo edhe SHBA.
Vetëm në muajin qershor, numri i turistëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë në këtë sezon turistik është rritur me 27% krahasuar me një vit më parë.
INSTAT bën të ditur se rreth 630.334 turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë në një muaj dukë shënuar rritje dy shifrorë të vizitorëve të huaj krahasuar me 2018-ën.
Ndërsa në gjashtëmujorin e parë 2019, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë është 2.136.952, duke u rritur me 11,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në Qershor 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra shënon rritjen më të madhe me 55,4%.
Sipas INSTAT, Shqipërinë e zgjodhën edhe rreth 68 mijë turistë maqedonas me një rritje prej 14,3%, nga Greqia 46 mijë turistë me një rritje prej 10%.
Vendi ynë mbetet një destinacion i preferuar dhe tërheqës edhe për turistët italianë. Vetëm gjatë muajit qershor, mbi 41 mijë italianë zgjodhën të kalonin pushimet në Shqipëri.
Shqipëria ka bërë për vete edhe turistë nga Anglia dhe Mali i Zi. Sipas INSTAT, numri i turistëve nga Anglia gjatë qershorit arriti në mbi 14 mijë me një rritje prej 34% krahasuar me një vit më parë po të këtij muaji. Ndërsa numri i turistëve nga Mali i Zi është 38 mijë me një rritje prej 35%.
Gjithashtu INSTAT bëri të ditur se daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit qershor janë 459.567. Krahasuar me qershorin 2018, ky numër është rritur 11,8%. Ndërsa numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në gjashtëmujorin e parë 2019 është 2.656.440 duke u rritur 10,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fraksion.com