Trump përpiqet të bindë Pakistanin për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshje me talebanët
Presidenti Donald Trump tha të hënën se ai mund ta fitojë luftën në Afganistan brenda një jave, por nuk dëshiron të vrasë miliona njerëz dhe të fshijë Afganistanin “nga faqja e dheut”.
Ai u përpoq të bindë Pakistanin që të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje me talebanët, që do t’i jepte fund luftës më të gjatë në historinë e Amerikës.
“Unë mund ta fitoj atë luftë brenda një jave” por “nuk dua të vras miliona njerëz,” tha Presidenti Trump.
Afganistani ishte ndër temat kryesore gjatë takimit të Presidentit Trump me kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan dhe marrëdhëniet e tyre shpesh të tensionuara mund të përmirësohen. Zoti Trump thotë se Pakistani mund të përdorë ndikimin e tij tek talebanët për të ndihmuar SHBA të largohen nga Afganistani.
Pakistani, i cili përballet me probleme ekonomike, dëshiron të rivendosë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara me shpresën për të siguruar më shumë investime, tregti dhe ndoshta rivendosjen e ndihmës amerikane që u pre nga Presidenti Trump.
Zoti Khan tha se kurrë nuk besonte se lufta mund të zgjidhej me mjete ushtarake. Ai tha se SHBA dhe talebanët janë më afër një marrëveshjeje paqësore se kurrë më parë.
Trump dhe Khan, ish-personalitet i njohur sportiv, janë që të dy të paparashikueshëm dhe marrëdhënia e tyre ka qenë me ulje-ngritje. Vizita e së hënës synonte për të zbutur tensionet dhe për të zgjidhur problemet komplekse me të cilat ndeshen dy vendet.
Vitet e fundit marrëdhëniet ndërmjet SHBA dhe Pakistanit kanë qenë të paqëndrueshme. Ato arritën pikën më të ulët nën ish-Presidentin Barak Obama kur SHBA ndërmorën sulmin mbi kompleksin e Osama bin Ladenit në Pakistan pa e informuar paraprakisht Islamabadin. Marrëdhënia nuk u përmirësua as kur Presidenti Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë.
Në nëntor të vitit 2018, Presidenti Trump shkruante: “Ne nuk do t’i paguajmë më Pakistanit miliarda dollarë, sepse ata marrin paratë tona dhe nuk do të bëjnë asgjë për ne, Bin Ladeni është një shembull tipik, Afganistani është një tjetër”.
Kjo deklaratë shkaktoi zemërim në Islamabad. Khan, ish-kapiten i ekipit pakistanez të kriketit, i cili u zgjodh vjeshtën e kaluar, u kundërpërgjigj.
Ai shkroi në Twitter se Pakistani ka pësuar 75.000 viktima dhe ka humbur 123 miliardë dollarë në “Luftën e SHBA kundër Terrorit”, pavarësisht faktit se asnjë pakistanez nuk ishte përfshirë në sulmet e 11 shtatorit. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar vetëm një ndihmë “të vogël” prej 20 miliardë dollarësh.
Tani, të dy vendet po përpiqen të zbusin tensionet./VOA
Fraksion.com