“Toyota Yaris” me 3.4 milionë euro; Basha nesër para prokurorëve belgë
Për hetimin rreth asaj që konsiderohet “Toyota Yaris”, Prokuroria e Krimeve të Rënda raportoi se kreu i PD, Lulzim Bashën do merret në pyetje këtë të enjte (25 korrik).
Marrja në pyetje e kreut të opozitës do të zhvillohet edhe në prani të prokurorëve belg.
Përfaqësues të Prokurorisë Federale të Belgjikës kanë mbërritur në Shqipëri, lidhur me këtë hetim.
Basha pas kërkesës mësohet se ka shprehur gatishmërinë të plotë të kontribuojë në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge për të zbardhur dosjen e njohur si “Toyota Yaris”.
Dosja hetimore e “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro në portin e Durrësit, disa muaj më parë, po shqyrtohet nga autoritetet belge, të cilët kërkuan të marrin dëshminë e Lulzim Bashës, i cili bëri edhe denoncimin në atë kohë. Ai akuzoi kreun e grupit paralemntar socialist, Taulant Bala, si porositës i makinës me para.
“Në vijim të ekzekutimit të letërporosisë së dërguar nga autoritetet belge, përfaqësues të Prokurorisë Federale të Belgjikës kanë mbërritur në Shqipëri me qëllim vijimin e kryerjes së veprimeve procedurale të kërkuara dhe të lejuara nga autoritetet gjyqësore shqiptare. Këto veprime konsistojnë në marrjen në pyetje të personave të pandehur si dhe marrjen në pyetje të shtetasit Lulzim Basha ditën e enjte datë 25.07.2019,”- njofton sot Prokuroria.
Fraksion.com