Rama: Në 30 qershor fitoi shteti, qytetaria, shpresa dhe humbi antishteti, rrëmuja dhe balta
Partia Socialiste mblodhi sot Asamblenë Kombëtare për të diskutuar dhe analizuar rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “në 30 qershor fitoi shteti, fitoi qytetaria, shpresa dhe humbi antishteti, rrëmuja dhe balta”.
“Ju kërkoj ndjesë për vonesën por pata një bisedë të gjatë telefonike me Presidentin e Francës”, tha fillimisht Kryeministri, ndërsa duke iu kthyer axhendës së kësaj mbledhje tha se “sot jemi mbledhur në një moment që mbyll vitin politik dhe që në të njëjtën kohë për ne është i nevojshëm në funksion të vitit të ri politik, pas pushimeve që për të gjithë fillojnë së shpejti.
30 qershori, sipas Ramës, ishte fundi i një akti të radhës në historinë e politikës së përçarjes, një akti të frymëzuar dhe organizuar për të marrë peng Shqipërinë në kuptimin më të plotë të fjalës, duke marrë peng zgjedhjet dhe përmes tyre reformën në drejtësi.
Prandaj edhe ato zgjedhje, tha kryeministri, u kthyen në një kulm të një përplasjeje që herë pas here në të gjitha vitet dhe zhvillimet demokratike është shfaqur mes antishtetit dhe shtetit.
“Por këtë herë me një dimension më shumë, me dimensionin e përpjekjes për të mbrojtur pandëshkueshmërinë në raport me një Shqipëri të drejtë për të cilën ne luftojmë patjetër me plot pengesa, gabime, dështime dhe jo vetëm me arritje. Në rrugën drejt së cilës jemi, ecim siç i takon Partisë Socialiste në vijueshmërinë historike të saj, në përputhje me interesin kombëtar dhe njëkohësisht në përputhje të plotë edhe me miqtë dhe partnerët tanë strategjikë”, tha Rama.
Tani që 30 qershori, që deri para pak kohe dukej sikur nuk do të vinte kurrë, iku paqësisht, por plaga është ende e hapur dhe më e hapur se asnjëherë, Rama tha se “është dhe sfida jonë”.
“Të jeni të qartë, 30 qershorin e fituan qytetarët edhe për ne. Ndërsa gjithë çfarë vjen pas 30 qershorit duhet ta fitojmë ne për qytetarët. Është me vend këtu ta përsëris se Shqipëria u shfaq në të gjithë brishtësinë e saj dhe u kërcënua, u godit, u lëkund, por nëse nuk u rrëzua kjo patjetër që erdhi edhe falë qëndrimit të SHBA-së dhe BE-së në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të parimeve më themelore të demokracisë, në mbështetje të lirisë së zgjedhjeve dhe të së drejtës së çdo qytetari për të zgjedhur”, shtoi Rama.
Ndaj sipas tij, ” asnjëherë kur të flitet për këtë moment kompleks në jetën tonë politike dhe shoqërore nuk do të harrohet roli i aleatëve tanë për të cilët nuk do të jetë kurrë mjaft falënderimi për gjithçka bën”.
“Shqipëria sot është çliruar nga makthi i gjithë gjysmës së parë të vitit, por mbetet me një plagë të hapur dhe në nevojë për shumë kujdes politik dhe pasion patriotik në qeverisjen e saj në të gjitha nivelet. Barra e kësaj sfide shumë të madhe të kurimit të plagës që hapi gjithë gjysma e parë e vitit është e gjitha e jona për momentin. Qytetarët shqiptarë e bën të tyren dhe e bën më së miri qoftë ata që votuan, në numra që kaluan edhe pritshmëritë më optimiste për mënyrën se si u zhvillua gjithë procesi deri në 30 qershor dhe në një numër votash për kandidatët tanë që është një bazë shumë domethënëse për të vijuar më tutje”, tha Rama.
Por tani, Kryeministri u shpreh se “është radha jonë që të bëjmë tonën duke e ndierë forcën e vullnetit të rishprehur të shqiptarëve, jo si një arsye për tu ndjerë ne më të fortë, por si një arsye për t’u përulur shumë më tepër se sa jemi mësuar të përulemi ndaj tyre, të reflektojmë shumë më tepër se sa deri më sot dhe për t’u investuar shumë më shumë e me mish e shpirt në shërbim të tyre në nivelin qendror dhe vendor”.
Fraksion.com