AktualitetBota+Të fundit

India mohon t’i ketë kërkuar Trumpit të ndërmjetësojë për Kashmirin

India ka kundërshtuar ofertën e presidentit amerikan, Donald Trump për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit disavjeçar me Pakistanin për rajonin e Kashmirit.

Në një takim me kryeministrin pakistanez, Imran Khan në Uashington, Trump ka thënë se “do të dëshironte të ishte një ndërmjetësues”.

Presidenti amerikan më pas ka prenteduar se kryeministri indian, Narendra Modi i ka kërkuar atij të jetë ndërmjetësues në këtë konflikt, që ka nxitur rivalët, Indinë dhe Pakistanin të përfshihen në tri luftëra, dy prej tyre për Kashmirin, prej kur kanë fituar pavarësinë nga Britania më 1947.

“Nuk ka pasur një kërkesë të tillë nga kryeministri për presidentin amerikan”, ka thënë ministri indian për Çështje të Jashtme, Raveesh Kumar.

Ndërkohë Trump ka mbajtur të hapur mundësinë e kthimit të ndihmës për Pakistanin, meqë ka konsideruar se Islamabadi është “duke i ndihmuar shumë” SHBA-së për të gjetur një zgjidhje për luftën në Afganistan.

“Nuk besoj se Pakistani ka respektuar Shtetet e Bashkuara” në të kaluarën, ka thënë Trump, mirëpo beson se “ai është duke ndihmuar shumë tani”.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Pakistanin për ofrim të “strehave të sigurta” për grupet militante në Indi dhe Afganistan, dhe së fundmi Trump ka ndërprerë ndihmën financiare dhe atë ushtarake për Islamabadin.

Trump ka thënë se ka një plan që do të mund të përfundonte luftën në Afganistan “brenda një jave” mirëpo do të kishte pasoja të mëdha në njerëz.

“Nëse do të dëshiroja të fitoja luftën në Afganistan, do ta bëja atë brenda një jave. Mirëpo unë nuk dua të vrasë 10 milionë njerëz”, është shpehur Trump.

Khan në anën tjetër ka thënë se ka “mirëpritur” diskutimet me presidentin amerikan pasi i është dashur të sigurohet se të dyja shtetet e kuptojnë njëra-tjetrën.

 

Fraksion.com