AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj niset sot drejt Hagës

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot do të niset për në Hagë ku do të intervistohet si i dyshuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Po, do udhëtoj për në Hagë”, ka thënë Haradinaj. i cili të premten e javës së kaluar ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar.

Edhe pse nuk ka një aktakuzë të ngritur ndaj tij, Haradinaj zgjodhi të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, pasi sipas tij, dëshironte të paraqitej në Hagë si qytetar dhe jo si kryetar i qeverisë së vendit.

“Kur shkon kryetari i Qeverisë, e bartë nocionin, rrezikohet nocioni i sovranitetit. Krijojmë një precedent të keq nëse shefi i Qeverisë së shtetit dorëzohet diku, unë nuk ia kam bërë këtë Kosovës. Nuk është se unë iu iki përgjegjësive, por ‘skam dashur ta çoj Kosovën para hetuesve. Më mirë të ikë Ramushi si person”, tha  Haradinaj, për T7.

Përveç Haradinajt, për arsye të njëjta, drejt Hagës do të udhëtojnë edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së Bislim Zyrapi dhe disa eprorë tjerë të UÇK-së.

 

Fraksion.com