Lëndina në Muzeun e Ndërtimit në Uashigton
Nëse do të kishte mundësinë, gjithkush do t’i qëndronte larg Uashingtonit gjatë muajve të verës. Por, për ata që duhet të qëndrojnë këtu në vapën zhuritëse të qytetit ka një zgjidhje – një lëndinë e improvizuar në hapësirën e muzeut të ndërtimit u ofron vizitorëve një mjedis relaksues në kushte të një temperature ideale. Kolegia Rudina Dervishi ka përgatitur kronikën.
Në ditët e nxehta të verës, Uashingtoni nuk është vendi i preferuar. Në fakt shumë banorë vendas largohen nga qyteti për të kaluar pushimet në vende më të freskëta malore ose pranë plazheve.
Nëse dëshiron t’i shpëtosh zhurmës dhe vapës së qytetit, kjo lëndinë e improvizuar me plot aktivitete në Muzeun Kombëtar të Ndërtimit është vendi ideal.
Është viti i pestë që ky muze shfrytëzon hapësirën e tij të madhe për të tërhequr vizitorët gjatë verës me instalacione interaktive brenda ndërtesës.
Ekspozita e këtij viti ka në qëndër aktivitetet në natyrë dhe lëndina është padyshim vendi i preferuar për amerikanët.
“Lëndina është shembulli i vendit më të mirë ku amerikanë duan ta kalojnë verën. Ne duam të jemi jashtë në natyrë, duam të jemi të relaksuar, të mos mendojmë për punën, shkollën apo çdo gjë tjetër si këto. Të gjithë kanë kujtime të fëmijërisë në natyrë, duke vrapuar pas xixëllonjave, apo duke u lëkundur në lisharës. Këtu në Uashington është shumë vapë në verë, ka shumë lagështirë, prandaj kemi krijuar këtë lëndinë të mrekullueshme në hapësirën e këtij muzeu, në mënyrë që njerëzit të kalojnë ekperienca dhe të krijojnë kujtime të reja”, thotë Cathy Frankel, drejtuese e projektit të ekspozitës verore.
Lëndina e improvizuar po tërheq vizitorë të grupmoshave të ndryshme që kërkojnë një mënyrë të re për të kaluar ditën. Rafaeli, 16 vjeçar thotë se ka ardhur vetë në muze pasi gjithmonë i kanë pëlqyer ekspozitat e krijuara këtu:
“Kjo është ekspozita e pestë ose e gjashtë që ka patur ky muze për verën dhe ekspozita e këtij viti është më e preferuara për mua. Është shumë qejf të kalosh kohën këtu, ka shumë gjëra interaktive. Është një vend i mirë të ulesh e të relaksohesh larg nga zhurma dhe gumëzhima në qytet. Më pëlqen shumë”.
Vizitorët duken të kënaqur. Cicërimat e regjistruara të zogjve dhe zhurma e vaditëseve të barit i bëjnë ata të sillen si të ishin jashtë në natyrë.
“Erdhëm për t’i nxjerrë fëmijët nga shtëpia dhe për t’i argëtuar në mënyrë që të mos luajnë video-lojra gjithë ditën. Ky është një muze i mrekullueshëm, një ambjent i mirë për komunitetin dhe donim që fëmijët të kalonin kohë së bashku dhe të argëtoheshin. Këtu janë pa telefona (qesh). Vrapojnë, bëjnë lëvizje fizike dhe kalojnë kohë së bashku”, thotë Emily Kirby, vizitore nga Merilendi.
“Dje ishim në pishinë dhe ishte shumë vapë. Është mirë të vish këtu dhe të provosh natyrën në mënyrë të improvizuar. fëmijët e mi kanë kushëririn që u ka ardhur për vizitë nga Kalifornia dhe është mirë që t’i tregojmë gjëra të ndryshme këtu në Uashington“, thotë Katy Friedman.
Fëmijët rrokullisen në kodrën e improvizuar, të rriturit relaksohen në lisharëse dhe dëgjojnë tregime të regjistruara nga aktorë të famshëm si Bette Midler dhe Whoopy Goldberg. Më tutje disa lojra. 8-vjeçari Asger thotë se ideja për të vizituar ekspozitën ishte e mamasë së tij, por atij po i pëlqen.
“Kam luajtur vetëm këtë lojë deri tani. Më pëlqen. Nuk është se jam më i miri. Do të thosha jam mesatar”, thotë Asger.
“Erdhëm për lisharëset”, thotë Kathy Zwack nga Kensingtoni. “Shoqja ime Jill do të luajmë krokei. Prandaj kemi ardhur. Nuk e di sa e mirë është në këtë lojë, por ndoshta ka për të më mundur”.
“Do të luajmë të gjitha lojërat. Bëjnë ekspozita shumë të bukura në këtë muze. Më pëlqen të vij këtu”, thotë Jill McClelland nga Bethesda.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy muaj (4 korrik- 2 shtator) dhe pritet të vizitohet nga 70 deri në 100 mijë njerëz.
Fraksion.com