AktualitetBota+Të fundit

Vrasjet; Rraporti global: Pas shteteve baltike, Shqipëria me vrasjet më të larta në Europë

Shqipëria raportohet të ketë pasur vrasjet më të larta në Europë, me përjashtim të vendeve të ish Bashkimit Sovjetik për periudhën 2012-2016. Të dhënat janë botuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën, UNODC, në raportin “Studimi global për vrasjet, 2019”, publikuar së fundmi.

Për periudhën e marrë në studim, Shqipëria kishte gati 4 vrasje për 100 mijë banorë, nga 6.1 që është mesatarja botërore dhe 3 që është mesatarja e Europës. Nivel më të lartë vrasjesh sesa Shqipëria kanë vetëm Estonia, Moldavia, Ukraina, Lituania dhe rekordin e mban Federata Ruse, me më shumë se 11 vrasje për 100 mijë banorë. Niveli më i ulët i vrasjeve është në Luksemburg, Irlandë, Norvegji, Austri, Spanjë, Holandë etj (me më pak se 1 vrasje për 100 mijë banorë). Në rajon, krahas Shqipërisë, nivel të lartë vrasjesh ka dhe në Mal të Zi.

Në Shqipëri, vrasjet janë më të larta sesa ato parashikohet që duhet të ishin duke marrë në konsideratë indikatorët socioekonomikë, në bazë të të cilave duhet të ishin të paktën gjysma. Vendi ynë shfaq diferencat më të larta mes nivelit të vrasjeve që duhet të kishte bazuar në pritshmëritë social demokratike (2) dhe asaj që ndodh në realitet (4), së bashku me Bjellorusinë.
Shqipëria renditet në Ballkan, së bashku me Malin e Zi, e Maqedoninë, si një nga vendet me përdorim të lartë të armëve të zjarrit në vrasje, me mbi 60% të tyre.

Në një tjetër indikator, vendi ynë renditet i pari në Europë për vrasjet e femrave nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë banorë, nga 1 vrasje për 100 mijë banorë në total. Pra, 70% e vrasjeve të grave në Shqipëri bëhen pikërisht nga burrat me të cilat ato kanë lidhur jetën, apo janë në një marrëdhënie intime. Vendi i dytë në Europë, ku burrat vrasin më shumë gratë është Irlanda (0.7) dhe Kroacia (0.5).

Meshkujt rrinë më shumë në internet, ulen vrasjet

Raporti thekson se në përgjithësi, në botë, normat e vrasjeve po bien, por jo aq shpejt sa të arrijnë objektiva domethënës në bazë të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Rreziku në tërësi, që të ndodhë një vdekje e dhunshme si rrjedhojë e vrasjes që qëllimshme ka rënë. Në vitin 2017 kishte 6.1 viktima nga vrasjet për 100,000 banorë, krahasuar me 7.4 në 1993.
Ekspertët janë përpjekur të shpjegojnë prirjen rënëse të vrasjeve, që ka ndodhur në të gjithë botën perëndimore – së pari në Amerikën e Veriut, pak më vonë në Europën Perëndimore. Rënia e fundit është vazhdimi i lehtësimit të shekujve të dhunës që mund t’i atribuohet qeverisjes më të mirë dhe sundimit të ligjit, nxitjes së vetëkontrollit dhe ndryshimeve kulturore drejt një niveli më të lartë të qytetarisë. Të tjerë ekspertë kanë zhvilluar një përqasje të teorisë së mundësive, duke propozuar se vrasja në këto nënrajone ka rënë si pasojë e një ndryshimi në stilin e jetës së të rinjve, që ka ardhur nga zhvillimi i internetit. Aksesi në kompjuter bën që meshkujt e rinj – që janë si autorë të mundshëm ashtu dhe viktima të mundshme – të shpenzojnë më shumë kohë në shtëpi dhe më pak kohë në publik, duke rezultuar në një gjasë më të ulët të përfshirjes në konfliktin ballë për ballë, përfshirë dhe vrasjen.
Në botë, niveli më i lartë i vrasjeve është në shtetet e Amerikës, kryesisht të Jugut, me 17.2 vrasje për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Afrika (13), Azia (2.3), Europa (3), Oqeania (2.8).
Në botë, më shumë vrasje ndodhin në Venezuelë (58 vrasje për 100 mijë banorë), Salvator (66), Honduras (68)./Monitor