Pompeo, vizitë në Amerikën Latine
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pritet të niset drejt Amerikës Latine për t’u takuar me udhëheqësit e atyreve vendeve. Vizita vjen në mesin e negociatave të vështira me Meksikën dhe vendet e Amerikës Qendrore mbi mënyrën se si të ndalet rrjedha e emigrantëve në kufirin jugor amerikan.
Zëdhënësja e Departamentit Morgan Ortagus bëri një pasqyrë të udhëtimit të zotit Pompeo që nis të premten:
“Sekretari Pompeo do të shkojë në Argjentinë, Ekuador, Mexico City dhe San Salvador, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit për çështje të sigurisë, përforcimin e angazhimit amerikan për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, veçanërisht mbështetjen për popullin e Kubës, Nikaraguas dhe Venezuelës dhe luftën e tyre për liri. Vizitat do të shërbejnë edhe për të rritur partneritetet ekonomik si dhe për të zgjeruar mundësitë ekonomike për qytetarët tanë”, tha zonja Ortagus.
Gjatë qëndrimit në Argjentinë zoti Pompeo do të marrë pjesë në një konferencë kundër terrorizmit me aleatët rajonalë, që përkon me 25 vjetorin e hedhjes në erë të një qendre hebreje në Buenos Aires ku u vranë 85 vetë, ngjarje që prokurorët argjentinas e lidhën me grupin Hezbollah dhe Iranin.
Askush nuk është dënuar lidhur me këtë sulm, i konsideruar si më i rëndi në historinë e vendit.
Migrimi ka të ngjarë të jetë një çështje e rëndësishme në anxhendën e zotit Pompeo. Disa ekspertë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i trajtojnë shkaqet në rrënjë të problemit pra “faktorët shtytës” që i detyrojnë këta njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Fraksion.com