AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj: S’është vendosur që Kosova të hyjë në votim për anëtarësim në INTERPOL

Autoritetet e Kosovës janë duke shqyrtuar vendimin rreth përpjekjes së radhës për anëtarësim në INTERPOL. Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, pritet të mbahet gjatë vjeshtës, në Kili. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova edhe zyrtarisht është në rend të ditës si temë, por ende nuk ka hyrë në rend të ditës votimi për anëtarësim.

“Se a do të hyjmë në votim është çështje a kualifikohemi ne në agjendë, por edhe është vendim i yni se a duam të hyjmë apo jo në votim. Asambleja mbahet në Kili, një shtet që nuk e njeh Kosovën, kështu që e shqyrtojmë a do të hyjmë në agjendën e votimit apo jo”, tha Haradinaj, pas një vizite që i bëri komunës së Fushë Kosovës.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

 

Fraksion.com