AktualitetBota+Të fundit

SHBA-ja dyshon se Irani ka konfiskuar një cisternë të naftës

Irani thotë se ka ndihmuar një cisternë të huaj të naftës në Ngushticën e Hormuzit, përderisa Shtetet e Bashkuara kanë dyshime se Teherani e ka konfiskuar transportuesin.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi, tha më 17 korrik, se vendi tërhoqi një cisternë të paidentifikuar në port, pasi ajo pësoi një problem teknik, raporton REL.

Por, Shtetet e Bashkuara thanë se transportuesi i naftës, nuk kishte qenë në kontakt me pronarin në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një shërbim online për përcjelljen e transportuesve të naftës i quajtur “TankerTrackers”, tha se cisterna kaloi në ujërat iraniane më 14 korrik.

Ngushtica e Hormuzit, është një vendkalim për gati një të tretën e gjithë naftës që tregtohet nga deti.

Uashingtoni “ka dyshime” se Irani e konfiskoi cisternën, i tha një zyrtar i mbrojtjes i SHBA-së, agjencisë Associated Press.

Incidenti vjen mes tensioneve të larta midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Britania konfiskoi një cisternë iraniane jashtë brigjeve të Gjibraltarit më 4 korrik, pas dyshimeve se po shkelë sanksionet e BE-së, duke dërguar naftë në Siri.

Irani ka bërë thirrje që Londra të lirojë cisternën dhe ka kërcënuar të kapë anijet britanike në hakmarrje.

 

Fraksion.com