AktualitetTë fundit

‘Humbasin’ në Prokurori dëshmitë në shqip të bandës; Tahiri: Shtyrja e gjyqit është qesharake

Është shtyrë për të tretën herë gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Seanca e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda është përcaktuar për më 22 korrik.

I revoltuar dhe me gjuhë ironike, ai tha se herën e parë procesi u shty, pasi letrat e postës ishin të grisua, të dytën pasi policia nuk kishte bërë njoftimet dhe herën e tretë Prokuroria kishte humbur “ca letra”.

“Edhe një çerdhe kalamajsh është më e organizuar se kaq! Nuk di si mund të humbasin letra në prokurori, kur ka protokoll, sistem, kur dihet se kush ka hyrë dhe ka dalë. Me këto letra Prokuroria kërkoi arrestimin tim dhe sot i ka humbur. Nuk dua ta di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëzor. Nëse është e qëllimshme, kjo është qesharake, pasi kush ka synim për ta zvarritur ka gjetur një mënyrë të tillë. Janë prova në favorin tim, nuk ka problem unë heq dorë prej tyre, nga disa dëshmi në favorin tim, vetëm që të mos shtyhet më gjyqi”, u shpreh Tahiri.

Ai tha se një procedim penal që nisi me kërkesë për arrestimin e tij dhe sot humbin letrat me të cilat u kërkua arrestimi, “kjo është qesharake”, madje shtoi se kjo nuk ndodh aa në dyqanin më të fundit të Shqipërisë, kjo është qesharake.

Tahiri deklaroi se Ministria e Drejtësisë i ka sjellë përkthimet në Prokuror dhe në këtë drejtim u shpreh se, “Kjo është skandaloze, poshtëruese për drejtësinë jo për mua, shpresoj të bëhet ndryshe. Unë kam konstatuar dhe mungesa të tjera ia kam bërë me dije Prokurorisë, dhe drejtuesja e Krimeve të Renda më ka kthyer përgjigje që është dosja e saktë”.

Sipas tij, shteti nuk mund të jetë kështu, dhe drejtësia nuk mund të jetë kështu, duke e cilësuar si diçka të shëmtuar atë që po ndodh.

“Unë nuk e di si mund të ndodh kjo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me një proces kaq mediatik dhe kaq në vëmendje. Kur këto materiale i ka media, si nuk i ka Prokuroria?! Unë di që do ia dalë, herët a vonë do ia dalë, të jeni të bindur”, deklaroi ish-ministri.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.

 

Fraksion.com