AktualitetRajoniTë fundit

Vuçiq paralajmëron vazhdimin e Samitit të Berlinit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se në muajin shtator, mund të ketë “një lloj vazhdimi të Samitit të Berlinit”.

“Mendoj se duhet kohë, për të folur për disa gjëra. Ju e dini se unë e urrej ta gjuaj fajin në anën tjetër, të përmendi taksat, (REL: të cilat qeveria e Kosovës i ka vendosur për mallra nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, në fund të vitit 2018). Le të presim që fuqitë e mëdha të bëjnë gjërat e tyre, kështu që ne do të dalim me atë që është e jona”, tha Vuçiq.

Ai e bëri deklaratën, përderisa së bashku me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, takuan përfaqësuesit e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin e të Rinjëve.

Në këtë takim, temë kyçe ka qenë bashkëpunimi rajonal dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Francës, Macron e përfundon të martën vizitën dyditore në Serbi.

Gjatë kësaj vizite ai ka thënë se Evropa duhet ta mbështesë rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje konkrete në muajt e ardhshëm.

Franca dhe Serbia nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fushën e ekonomisë dhe atë të mbrojtjes.

 

Fraksion.com