AktualitetBota+Të fundit

Ministrit iranian i kufizohet lëvizja në SHBA

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif arriti në Nju Jork më 14 korrik dhe pritet të marrë pjesë në një takim të OKB-së më 17 korrik.

Ndërkohë Kombet e Bashkuara shprehën shqetësim te Shtetet e Bashkuara, në lidhje me kufizimet e udhëtimit ndaj ministrit të Jashtëm iranian, gjatë vizitës së tij në SHBA.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e lejoi vizitën e tij, përkundër tensioneve të larta midis dy vendeve.

Por, Zarif lejohet të lëvizë vetëm midis Kombeve të Bashkuara, misionit iranian të OKB-së, rezidencës së ambasadorit iranian në OKB dhe aeroportit John F. Kennedy në Nju Jork, tha një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit.

Ky zyrtar tha se Zarif i përdor liritë e SHBA-së “për të përhapur propagandë të keqe” dhe se ai është “zëdhënës i një autokracie që shtyp fjalën e lirë”.

Uashingtoni në përgjithësi i ndalon diplomatët e vendeve që konsiderohen armiqësore për të udhëtuar jashtë një rrezeje prej 40 kilometrash nga Rrethi Columbus i Nju Jorkut.

Pavarësisht nga kufizimet e udhëtimit, Zarif dha intervista më 15 korrik për rrjetet televizive BBC dhe NBC nga rezidenca e ambasadorit iranian në OKB.

Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve se sekretariati i OKB-së është “në kontakt të afërt me misionin e përhershëm të Shteteve të Bashkuara dhe atë të Iranit në OKB dhe i ka përcjellë shqetësimet te vendi nikoqir”.

Marrëdhëniet SHBA-Iran janë përkeqësuar qëkur presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore vitin e kaluar dhe ka rikthyer sanksionet ekonomike kundër Iranit.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin, Brian Hook, tha se asnjë zyrtar i Qeverisë amerikane nuk do të takohet me Zarifin.

 

Fraksion.com