AktualitetRajoniTë fundit

Kryeprokurorja Janeva dorëhiqet nga posti

Kryeprokurorja e posaçme Katica Janeva njoftoi dorëheqjen të hënën. Vendimi pason debate të gjata në opinionin publik dhe në skenën politike me partitë kryesore të opozitës që këmbëngulnin largimin e saj. Këto debate janë zhvilluar në kuadër të dialogut pushtet – opozitë mbi reformat në gjyqësor.

Janeva, e cila erdhi në krye të kësaj prokurorie të themeluar enkas për të hetuar krimet që lidheshin me skandalin e përgjimeve të bisedave telefonike, ka lënë të kuptohet përmes faqes së internetit të Prokurorisë së Posaçme se dorëheqja e saj do të aktivizohet atëherë kur të zgjidhet pasuesi i saj.

Në shkrimin e saj ajo thotë se ka ndjekur për muaj të tërë debatet në media mbi bisedimet midis grupeve të punës të partive politike rreth të ardhmes së Prokurorisë së Posaçme. Ajo thoshte se po shfrytëzonte mundësinë për të njoftuar opinionin publik se nuk do të lejonte që emri i saj të përdorej për alibitë e dikujt për ta mbajtur peng fatin e Prokurorisë së Posaçme dhe integrimet evropiane të vendit.

Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE, e kushtëzon largimin nga posti të kryeprokurores së posaçme Janeva, me vazhdimin e bisedimeve për ligjin e ri për prokurorinë publike. Më herët të hënën, Kryeministri Zoran Zaev gjatë një konference shtypi tha se ishte i gatshëm të bisedonte për mundësinë e ndërrimit të zonjës Janeva, çfarë u pasue edhe me postimin e saj në faqen e internetit.

Katica Janeva ndodhet në krye të kësaj prokurorie që prej themelimit të saj rreth katër vjet më parë. Gjatë mandatit u hapën mbi njëzet çështje, prej të cilave pesë me vendime gjyqësore për dënime me burg. Por, për momentin vetëm një person është duke vuajtur dënimin.

Skandali i përgjimeve u publikua nga ish-shefi i opozitës së atëhershme Zoran Zaev, aktualisht kryeministër. Mbi njëzet mijë qytetarë, më së shumti politikanë, biznesmenë, gazetarë, etj. ishin vënë në shënjestër të përgjimeve të shërbimit sekret, në krye të cilit qëndronte Sasho Mijallkov, një familjar i afërm i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski i arratisur në Hungari.

Bojan Jovanovski
Bojan Jovanovski

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër policia maqedonase ka ndaluar Bojan Jovanovskin e njohur në publik si Boki 13, i cili paraqitet si pronar i televizionit privat 1TV. Jovanovski akuzohet për pastrim parashë. Ai së bashku me një shtetas tjetër dyshohen se kishin përfituar një shumë prej 1,5 milionë euro nga një person nën hetime në mënyrë që t’ia lehtësonon atij gjendjen përmes lidhjeve me një prokuror publik. Prokuroria publike ka kërkuar masën e arrestit për dy të dyshuarit.

 

Fraksion.com