AktualitetKosovaTë fundit

Gjermani-Kosovë: Bashkëpunim në fushën e shëndetësisë

Gjermania do ta ndihmojë Kosovën me ekspertizë në fushën e shëndetësisë, ndërsa edhe Kosova mund të kryej shumë shërbime mjekësore për shtetin gjerman.

Qeveria e Kosovës dhe qeveria gjermane kanë rënë dakord që të shkëmbejnë përvoja në fushën e sigurimit shëndetësor, në menaxhimin shëndetësor dhe kualifikimin e profesionistëve të shëndetësisë, por edhe për akreditimin dhe certifikimin e stafit infermier. Kjo do të bëhet e mundur pasi në Prishtinë ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn së bashku me homologun kosovar Uran Ismajli, nënshkruan një marrëveshje të përbashkët për këtë bashkëpunim. Fillimisht takimi i ministrit Spahn me kryeministrin kosovar Haradinaj u zhvillua pa praninë e medieve dhe pas takimit nuk pati deklarata. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn erdhi në Prishtinë për t’i dhënë mbështetje sektorit kosovar të shëndetësisë sidomos me praktikat gjermane sa i përket sigurimeve shëndetësore. Pas një takimi që ministri Spahn zhvilloi me ministrin kosovar të Shëndetësisë, ai tha se Kosova dhe Gjermania kanë mundësi të mira bashkëpunimi, sepse, Gjermania ka numër më të madh të qytetarëve të shtyrë në moshë, ndërsa, Kosova ka një popullsi shumë të re.

“Gjermania ka një përvojë të sistemit shëndetësor më shumë se 125-vjeçare. Ne me përvojat tona dëshirojmë të ofrojmë përkrahje dhe këshillim, ndërsa, po ashtu, ne mund të ndihmojmë edhe në fushën si kualifikimi dhe certifikimi në fushën e infermierisë. Diplomat e infermierisë do të ishte mirë të njiheshin më lehtë në Gjermani, sepse Gjermania ka nevojë për ardhje të ekspertëve të fushës së infermierisë dhe nga sot me nënshkrimin e marrëveshjes kemi krijuar një bazë të përbashkët, që është qëllimi final, shkollimi profesional nëpër shkolla, i cili i referohet standardit gjerman”, tha ministri Spahn. Sipas tij, Gjermania ka nevojë për rreth 70 mijë infermierë.
“Këtë numër të madh të infermierëve që na duhen mund ta arrijmë vetëm me ardhjet nga vendet e tjera dhe Kosova është shteti i parë me të cilin nënshkruam marrëveshje të kësaj natyre”, tha ministri Spahn. Ndërkohë në një komunikatë për medie, pas takimit që zhvilloi me ministrin gjerman të Shëndetësisë Jens Spahn, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se “Kosova është vend që përveç ekspertëve të mjekësisë, mund të ofrojë më shumë edhe në aspektin e shërbimeve mjekësore, nga këtu për vendet evropiane, me theks të veçantë për tregun shëndetësor në Gjermani”.
“Kosova ka kapacitete për të ofruar shërbime shëndetësore dhe përcjellëse edhe për Gjermaninë. Ne kemi qenë dëshmitarë që ekspertët tanë tashmë kanë shënuar rezultate dhe suksese në Gjermani dhe vende të tjera, po ajo çka mund të bëjmë është bashkëpunimi konkret, që nga këtu, me ekspertët tanë, t’i ofrojmë këto shërbime për Gjermaninë dhe ky lloj partneriteti do të jetë në interes të të dyja palëve”, thuhet në komunikatën e zyrës së Kryeministrit Haradinaj.
Në nëntor të vitit të shkuar ministri kosovar i Shëndetësisë Uran Ismajli, ishte për vizitë në Gjermani, ku takoi homologun e tij gjerman Jens Spahn. Ismajli kërkoi ndihmën e shtetit gjerman për reformat e nisura për transformimin e shëndetësisë në Kosovë, por nuk u fol për “ikjen” punonjësve të shëndetësisë së Kosovës për në Gjermani”.
Që nga viti 2012 shumë organizata joqeveritare në hulumtime të ndryshme kanë shprehur shqetësimin e tyre për largimin nga Kosova të stafit mjekësor dhe kujdestarisë në mjekësi, me destinacion vendet e Evropës, më së shumti Gjermaninë. Arsyet e ikjes së këtij stafi, thuhet se janë pagat dhe kushtet më të mira për punë në Gjermani. Në Federatën Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës thonë, se vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2019, 37 mjekë specialistë janë larguar nga Kosova, ndërsa gjatë vitit 2018 janë larguar gjithsej 154 mjekë specialist.
E nga Sindikata e Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, që është qendra më e madhe shëndetësore në Kosovë, thonë se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë ka arritur mbi 50 vjeç dhe kjo thuhet të jetë shqetësuese për faktin se shumë mjekë të rinj po largohen nga Kosova. Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, në Kosovë ka mungesë të profesionistëve shëndetësorë nëse merren për bazë standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për numrin e mjekëve për frymë.
“Në asnjë njësi funksionale që është brenda shërbimit shëndetësor, nuk ka mjekë, e as infermier sa duhet për frymë, sipas numrit të popullatës. Në të gjitha njësitë që shërbejnë në shëndetësi vazhdimisht ka konkludime për shuarjen e pozitave për shkak se kolegët kanë shkuar në pension dhe nuk ka staf të ri për ato pozita”, thotë Xhemajl Selmani.
Ndonëse nuk dihet për shifra të sakta, në një hulumtim të bërë në vitin 2015, nga federata sindikaliste e shëndetësisë së Kosovës nga viti 2012 deri në vitin 2014, nga Kosova kanë ikur të paktën 400 mjekë, thotë Blerim Syla, kryetar i federatës sindikalist të shëndetësisë.
“Ne kemi bërë një hulumtim dhe nga Kosova për tre vjet kanë ikur 400 mjekë, pa i llogaritur infermierët. Ne kemi organizuar një pyetësor ku prej njëmijë studentëve që kemi anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të largohen jashtë vendit”, pati thënë Blerim Syla.
E nga ana tjetër, nga zyra e kryeministrin thanë se Qeveria e Kosovës, e ka rritur rreth 20 për qind buxhetin për shëndetësinë, në të gjitha nivelet e saj për vitin 2019, si përpjekje për ta përmirësuar këtë sektor dhe për të përmirësuar shërbimet në fushën e mjekësisë. Sipas qeverisë së Kosovës, aktualisht në institucionet shëndetësore publike në Kosovë ka mbi 13500 të punësuar dhe asnjë shërbim nuk është i rrezikuar për shkak të largimit të kuadrit.
Sidoqoftë jo vetëm në sektorin e shëndetësisë, por edhe në sektorë të tjerë, që nga paslufta, Gjermania ka ndihmuar Kosovën me afro 650 milionë euro donacione dhe një pjesë e tyre kanë qenë të dedikuara pikërisht për sektorin e shëndetësisë. Prandaj sipas udhëheqësve politik të Kosovës Gjermania është një nga vendet që ka dhënë më së shumti kontribut në pavarësinë e Kosovës dhe në procesin e shtet-ndërtimit të saj. Në këtë linjë, kryeministri Haradinaj thotë se Kosova do të mbetet e përkushtuar për t’i fuqizuar marrëdhëniet me shtetin gjerman, duke e konsideruar Gjermaninë si partnerin më serioz dhe afatgjatë në të gjitha fushat./DW

 

Fraksion.com