AktualitetRajoniTë fundit

Zaev refuzon opozitën: S’ka zgjedhje të parakohshme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e refuzoi kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se për momentin prioritet ka zhvillimin ekonomik të vendit, që, sipas tij, nuk mund të arrihet me zgjedhje të parakohshme.

“Mbetem në qëndrimin se duhet të shkojmë në zgjedhje të rregullta. Zgjedhjet e shpejta parlamentare, e pamë se ku e çojnë vendin për shkak të konsultimeve politike. Nëse do të ishim për zgjedhje të parakohshme, ato do t’i shpallnim së bashku me zgjedhjet presidenciale. Zgjedhje të rregullta do të ketë në dhjetor të vitit 2020, por për mua nuk ka problem që ato të mbahen edhe në tetor”, tha Zaev.

Ai e ftoi liderin e partisë opozitare VMRO DPMNE, Hristijan Mickovski, në një takim të premten, në të cilin, siç u shpreh, do të bisedohej për tri tema: ligjin zgjedhor, atë të prokurorinë speciale dhe për regjistrimin e popullsisë.

Veç Mickovskit, në këtë takim u ftuan edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

“Një përkushtim i sinqertë për këto tema do të rrumbullakonte aspiratat evropiane deri në marrjen e datës së bisedimeve të anëtarësimit. Askujt nuk duhet t’i japim argumente që të jetë kundër apo i rezervuar”, tha Zaev.

VMRO DPMNE-ja opozitare po kërkon zgjedhje të parakohshme për shkak të, siç thotë, skandaleve të shumta që po e përcjellin qeverinë, aferave korruptive të zyrtarëve të saj, varfërisë në rritje, mosmarrjes së datës për nisjen e bisedimeve me BE-në e të tjera.

 

Fraksion.com