Refugjatët e shpëtuar në Mesdhe; Maas: Aleancë për shpërndarjen
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas nuk do të presë më. Për shkak të bllokadës në politikën e refugjatëve, ai propozon iniciativë për shpërndarjen e refugjatëve që shpëtohen në Mesdhe me vendet që duan të ndihmojnë.
Ujdia për shpëtimin në Mesdhe nuk duhet të dështojë më, për shkak të grindjeve për shpërndarjen e tyre. „Kësaj bllokade duhet t’i jepet fund”, kërkoi Maas. As të shpëtuarit dhe as ata që shpëtojnë nuk mund të presin aq gjatë deri sa të jetë i gatshëm edhe vendi i fundit në BE, theksoi ministri i Jashtëm gjerman. Heiko Maas pret që partnerët europianë „të hedhin një hap vendimtar përpara lidhur me këtë temë”.
Të enjten e javës së ardhshme ministrat e Punëve të Brendshme të BE dhe ata të Drejtësisë takohen për këtë çështje në Helsinki. Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer ka bërë të ditur, se do të angazhohet „për një zgjidhje humanitare dhe praktike për sfidat aktuale të migracionit përmes Detit Mesdhe”.
Grindje e pafund
Shpëtimi i refugjatëve në Mesdhe dhe shpërndarja e tyre kanë shkaktuar një grindje të fortë në BE. Në javët e kaluara anijet e organizatave humanitare me refugjatë të shpëtuar në bord u penguan të futeshin në portet e Italisë dhe Maltës. Rregullisht refugjatët mbyten në Mesdhe, shumica në përpjekjen për të kaluar nga Libia në një vend të BE-së.
UNHCR bën fjalë për „kalimin detar më vdekjeprurës të botës”. Sipas Organizatës Botërore të Migracionit, IMO që nga fillimi i këtij viti kanë humbur jetën 682 migrantë, 426 prej tyre e kanë lënë jetën në itinerarin detar nga Libia në Europë. Javën e kaluar një motobarkë me 80 migrantë u fundos në Mesdhe. Numri i viktimave është rritur në 72 vetë, sipas njoftimit të Gjysmëhënës së Kuqe Tuniziane./DW
Fraksion.com