Paralajmërim për uragan në jug të Luizianës
Ekspertët kanë lëshuar paralajmërime për uragan për pjesën bregdetare të shtetit të Luizianës, ndërsa stuhia tropikale “Barry” goditi fuqishëm Gjirin e Meksikës.
Të enjten në mbrëmje, Presidenti Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës për Luizianën dhe autorizoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare si dhe Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave të koordinojnë fondet dhe burimet federale për të ndihmuar shtetin që të përballojë pasojat e stuhisë.
Qendra Kombëtare e Uraganeve pret që “Barry” të godasë bregdetin si një stuhi e kategorisë 1 të premten vonë në mbrëmje ose të shtunën herët në mëngjes. Kjo do të ishte stuhia e parë e Atlantikut, për këtë sezon.
Nju Orlinsi, që aktualisht po përballet me përmbytje për shkak të shirave të fuqishëm të së mërkurës, është paralajmëruar se do të goditet nga stuhia tropikale.
Ekspertët thonë se qyteti mund të përballet me shira të mëdha, deri në 38 centimetra, për shkak të stuhisë “Barry”.
Autoritet kanë urdhëruar evakuime të detyrueshme për rreth 10 mijë persona që jetojnë përgjatë Misisipit dhe pranë Gjirit të Meksikës.
Bashkë me shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta, “Barry” mund të sjellë dallgë të mëdha dhe tornado, përpara se të dobësohet duke lëvizur më në brendësi të shtetit.
Fraksion.com