“Luani i Florinjtë” i Ilir Metës dhe Komisioni i Venecias!
Nga Alfred Peza
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta njoftoi me gaz e hare në rrjetet sociale se ishte nderuar me “Luanin e Artë” të Venecias.
Vjet ky Çmim Ndërkombëtar i akorduar nga fondacioni i afërt me ish ministrin e Jashtëm italian Franco Fratini, iu dha Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Mediat e Beogradit e akuzuan se ai kishte paguar 75 mijë euro për këtë.
Ka një përkim interesant mes “Luanit” tonë prej “floriri” dhe një statusi të publikuar më 5 korrik në facebook nga Ilir Meta, kur ishte duke udhëtuar drejt Tropojës, në kohën që sapo kishte kaluar Spaçin.
“Më vonë, kur të jem më i lirë që të shkruaj me terezi do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-Kryetar i Kuvendit e si President i Republikës”,- shkruante ai.
Kanë kaluar 10 ditë dhe Ilir Meta akoma nuk e ka gjetur ende kohën që të shkruajë, megjithëse nuk ka dalë më as nëpër konferenca shtypi LIVE, as nëpër televizionet shqiptare dhe as nuk ka shkruar më nga ato statuset e tij të çakorduara e të çakërdisura.
“Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti”,- shkruante Ilir Meta.
Uroj të mos e kenë parë Profesorët e Komisionit të Venecias kur e ka tërhequr “Luanin” e tij “të florinjtë”, sepse vetëm kështu do të përmbushej ndoshta profecia e Presidentit tonë për ta, në këto ditë të nxehta.😉😂👊
Fraksion.com