Llihet i lirë; “Gjenerali” Nehat Kulla përfundon dënimin
I rikthehet lirisë Nehat Kulla, i cili ka përfunduar dënimin në burgun e Fushë Krujës.
Lirimi i tij pritet të bëhet në orën 18.00 të pasdites së sotme, ku dhe do të kryhen procedurat përfundimtare për ta rikthyer të lirë.
Kulla i cili njihet si “i forti” i Tiranës, u arrestua në vitin 2005, pasi ishte dënuar me 20 vite burg, i deklaruar fajtor për vrasjen e Halim Gjuzit, ish-shofer i zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata.
Për shkak të uljeve të dënimit ndër vite, Kulla i rikthehet tashmë lirisë.
Nehat Kulla dhe banda e tij
Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.
Madje, gjatë vitit 1997, ai arriti të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera.
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.
Fraksion.com