SHBA “nuk e sanksionon” ministrin e Jashtëm iranian
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që të mos e sanksionojnë ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, tash për tash – çfarë lë të kuptohet se Uashingtoni po i jep shans diplomacisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Iranin.
Agjencia e lajmeve Reuters tha se burimet e saj i kanë raportuar për këtë vendim, edhe pse ato nuk kanë dhënë arsye specifike.
Zyrtarët amerikanë nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesës për komente.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, ka thënë në muajin qershor se presidenti Donald Trump e ka autorizuar atë që të vendosë sanksione kundër Zarifit.
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë të larta, prejse SHBA-ja, vitin e kaluar, është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore dhe ka rikthyer sanksionet kundër Iranit.
Irani, fundjavën e kaluar, ka thënë se ka nisur të pasurojë uranium përtej limiteve që parasheh marrëveshja bërthamore.
Me uranium të pasuruar, Irani potencialisht mund të krijojë armën bërthamore.
Në muajin qershor, Irani ka rrëzuar edhe një dron amerikan, duke thënë se ai ka shkelur hapësirën e tij ajrore, edhe pse një gjë e tillë është mohuar nga SHBA-ja.
Zarif pritet të marrë pjesë në një takim në Kombet e Bashkuara javën e ardhshme.
Për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, Uashingtoni do të duhet t’i japë vizë.
Fraksion.com