AktualitetTë fundit

Pjesë e ISIS; Arrestohet i kërkuari nga Rusia për terrorizëm

Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese partnere dhe ato të inteligjencës, ka vënë në pranga një të kërkuar për terrorizëm.

Mbrëmjen e të enjtes, është identifikuar dhe arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Rusisë, një 34-vjeçar rus i kërkuar për “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”.

Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, pas një pune disamujore, duke koordinuar veprimet me shërbimet ligjzbatuese partnere dhe ato të inteligjencës, lokalizoi, identifikoi dhe arrestoi me qëllim ekstradimin drejt Rusisë, R. M., 34 vjeç, lindur dhe banues në Norilsk, Rusi.

I riu ka ardhur si emigrant i paligjshëm në Shqipëri dhe ishte shpallur në kërkim nga Interpol Moska. 34-vjeçari kërkohej pasi Gjykata e Nadterechni, republika Çeçene/ Rusi, me vendim të datës 8 prill 2015, ka lëshuar urdhër- arrestin për këtë shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”, parashikuar nga Kodi Penal rus.

Në qershor të vitit 2013 ai është larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar një grupimi ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.

Ndaj të dyshuarit për veprime të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”.

 

Fraksion.com