AktualitetBota+SportTë fundit

Paradë në Nju Jork për nder të kombëtares amerikane të futbollit për femra

Ekipi triumfues i kombëtares së futbollit për femra, që u kthye në Shtetet e Bashkuara pasi fituan në Kampionatin Botëror për të katërtën herë, u nderua të mërkurën me një paradë në rrugët e Manhatanit.

Punëtorë ndërtimi, motoçiklistë dhe vajza të vogla me flamurë amerikanë në duar, përshëndetën lojtaret e skuadrës, që shoqëroheshin në një nga automjetet e paradës nga kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio dhe guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ndërsa kalonin në rrugët e qytetit.

Fitorja 2-0 e kombëtares amerikane për femra ndaj Hollandës në ndeshjen e fundit të dielën, ishte pika kulmore e një kampionati që tërhoqi audienca të jashtëzakonshme televizive dhe i dha një status ikone, bashkë-kapitenen Megan Rapinoe, që pati numrin më të madh të golave në kampionat dhe që ka ngritur gjithmonë zërin për tema delikate.

Fitorja tërhoqi vëmendjen edhe për përpjekjet e ekipit për barazi në pagesë me lojtarët e kombëtares së meshkujve dhe rrjedhimisht edhe për barazinë në pagë për gratë në përgjithësi.

Presidenti Donald Trump e uroi ekipin për fitoren në Twitter, por nuk ka bërë ende ndonjë ftesë në Shtëpinë e Bardhë. Nëse ftohen, Megan Rapinoe ka thënë se ajo dhe anëtare të tjera të ekipit me të cilat ajo ka folur, nuk do të merrnin pjesë, në shenjë proteste ndaj presidencës së tij.

 

Fraksion.com