Ministri serb i Mbrojtjes nuk lejohet të hyjë në Kosovë
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i quajti të mërkurën “gënjeshtarë” udhëheqësit e Kosovës, që nuk i lejuan siç tha, një vizitë “humanitare” në Kosovë.
Ai tha se bashkë me një delegacion të Akademisë Mjekësore Ushtarake të Beogradit, dëshironte të vizitonte serbët në veriun e Kosovës.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se “kërkesa e ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandër Vulin, është refuzuar për shkak se qëllimet e tij janë provokim kundër Kosovës”.
Ministri serb Vulin, anëtar i një ish partie majtiste, që ishte themeluar nga Mira Markoviç, ish bashkëshortja e presidentit serb, Slobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hage derisa po gjykohej për krime e lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, është i njohur për qëndrimet e tij pro ruse.
Ai përdori madje shprehjen “shqiptari”, një fjalë pezhorative për shqiptarët, duke e quajtur kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj “gënjeshtar”.
“Ju rikujtoj se ai i ka thënë kryeministres sonë (Ana Bërnabiç) se nuk është e saktë që zyrtarëve të Serbisë u është ndaluar të vijnë në territorin e Kosovës. Zbuluam edhe një gënjeshtër. Edhe një herë u dëshmua shkelja e të gjitha marrëveshjeve”, tha ai në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Javën e kaluar autoritetet në Kosovë u shfaqen me qëndrime kundërthënëse rreth vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë. Derisa ministria e Jashtme tha se do të ndalohen të gjitha vizitat derisa nuk ndryshon qasja e Beogradit ndaj Kosovës, zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj tha se nuk ka një vendim të tillë dhe çdo kërkesë shqyrtohet veç e veç.
Vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe atyre shqiptarë në Serbi janë pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Fraksion.com