AktualitetPolitikëTë fundit

Meta gjen “ilaçin” që shëron vendin nga kriza; Ja kujt ia tregon

Presidenti Ilir Meta ka treguar “ilaçin” e vetëm që e shëron vendin nga kriza ku ndodhet.

Këtë e tregoi gjatë takimit që pati sot me delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan (American Jewish Committee) me qendër në Nju-Jork, të kryesuar nga drejtori i tij Ekzekutiv, David Harris.

Presidenti e njohu delegacionin zyrtar të AJC-së me situatën aktuale në Shqipëri, krizën e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, si dhe me propozimin e tij si President i Republikës për zgjidhjen e saj nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: zgjedhjeve vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli.

“I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithë ne”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Gjithashtu Presidenti Meta e siguroi zotin Harris dhe delegacionin që e shoqëronte se miqësia mes shqiptarëve dhe komunitetit hebreo-amerikan do të vazhdojë të forcohet, dhe se bashkëpunimi ekonomik duhet të intensifikohet më tej.

Nga ana e tij, Harris deklaroi: “Miqësia tradicionale e Shqipërisë dhe e kombit hebre është e skalitur në kujtesën tonë kombëtare jo vetëm për rolin fisnik të shqiptarëve në shpëtimin, mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe për historitë tona të ngjashme si dy popuj që kanë vuajtur përgjatë shekujve të ekzistencës së tyre”.

Ai ofroi gatishmërinë për të ofruar mbështetjen për të rritur rolin e diasporës shqiptare në SHBA, me qëllim që të ndikojmë për çështjen shqiptare në politikën dhe administratën amerikane.

 

Fraksion.com