AktualitetBota+Të fundit

Kush janë përdhunuesit e një vajze në Gjermani?

Rati i dyshuar për përdhunim në Mülheim ka ndezur debat në Gjermani, e ka ngritur disa çështje juridike dhe social-kulturore, si mosha e dënimit të minorenëve, por edhe gjendja e fëmijëve të migrantëve në Gjermani.

Tre 14 vjeçarë dhe dy 12 vjeçarë, djem të rinj bullgarë janë të dyshuar, se të premten në mbrëmje (5 Korrik) në Mülheim an der Ruhr (Mylhaim an der Rur)kanë përdhunuar një vajzë të re në pyll. 12 vjeçarët nuk kapin moshën e dënimit, kurse njëri nga 14 vjeçarët ndodhet në paraburgim për shkak të rrezikshmërisë. Zyra e kujdesit për minorenët në Mülheim ishte përpjekur të hënën të bisedonte me familjet e 12 vjeçarëve. Por ofertat për ndihmë nuk janë pranuar nga ata.

Volker Wiebels, zëdhënës i bashkisë së Mülheimit shpjegon në një intervistë për Deutsche Welle: “Një gjë mund të thuhet në përgjithësi. Nuk ka rrezikim të mirëqenies së fëmijës. E drejta e edukimit është tek prindërit, ose ka mbetur tek njëra palë (pjesërisht ka prindër të ndarë). Ne si bashki japim mbështetje, ka masa të ndryshme, ku mbështeten familjet si të tëra, por ka edhe masa parandaluese të qeverisë së landit.”

Dëbimi nuk bëhet dot

Werner Jostmeier, konsull nderi i Republikës së Bullgarisë në Münster ka shumë përvojë me migrantët bullgarë në landin gjerman të Renani-Veriore Vestfali (Nordrhein-Westfalen). Ai nuk e pranon mosndërhyrjen e Zyrës së kujdesit për minorenët. “Nëse Zyra e kujdesit për minorenët mund të zbatojë masa të detyrueshme, do ta rekomandoja. Ne nuk mund t’i kthejmë këta njerëz, sepse ata gëzojnë lirinë e lëvizjes brenda BE. Por ata duhet, të lutem, të respektojnë rregullat që vlejnë këtu. E nëse bien në konflikt me zyrën e minorëneve apo ligjin, atëherë autoritetet gjermane duhet të kenë kompetencën të ndërhyjnë.”

Kush janë këta të rinj të dyshuar? E si arriti puna deri tek përdhunimi? Sipas Volker Wiebels bëhet fjalë për “qytetarë turqishtfolës me nënshtetësi bullgare”. Në Bullgari  jetojnë sipas të dhënave të publikuara afër 500.000 myslimanë turqishtfolës, mbi 8% e popullsisë. Mijëra prej tyre janë në BE pas anëtarësimit në vitin 2007 si punëtorrë migrantë, edhe në Gjermani. Lidhjen me tregun gjerman të punës ata e gjejnë shpeshherë përmes turqve që jetojnë në Gjermani.

Për të gëzuar këtë privilegj edhe shumë romë bullgarë e paraqesin veten si myslimanë turqishtfolës. Ky zhvillim është i njohur për autoritetet gjermane, por edhe përfaqësitë diplomatike të Bullgarisë në Gjermani, sepse këta migrantë trajtohen keq nga ndërmjetësuesit apo punëdhënësit ose jetojnë vetëm nga asistencat e shtetit. Këtë e konfirmon edhe Werner Jostmeier. Por problemet e tyre janë të kushtëzuara nga rrethanat politike dhe socialkulturore, shpjegon konsulli i nderit. “Nëse bëhet fjalë për këtë grup bullgarësh që flasin turqisht me pasaportë bullgare atëherë nuk kam ndonjë recetë të gatshme. Duhet të kujdeseimi, që të përafrohen rregullat mes vendeve pritëse dhe vendeve origjinë. Këtu bëjnë pjesë vlera si barazia e burrit dhe gruas, liria e fesë, respektimi i dinjitetit njerëzor, dhe i ligjeve.”

Zemërimi për rolin e të mënjanuarit

Kriminologë gjermanë dhe psikologë janë të një mendimi, kur bëhet fjalë për raste ekstreme të kriminalitetit të të rinjve. Në një intervistë për revistën gjermane Focus, psikologu i kriminalistikës, Rudolph Egg e lidh  rastin e Mülheimit me një “kombinim të demonstrimit të pushtetit, seksualitetit, dhe dinamikës së grupit”. Christian Pfeiffer, themeluesi i Institutit të Kriminologjisë në Saksoninë e Poshtme, KFN, flet për “koncepte familjare patriarkale” dhe “zhgënjim për rolin e të mënjanuarit”.

Sipas Volker Wiebels, nacionaliteti i të dyshuarve ka një rol dytësor në rastin e përdhunimit të dyshuar. “Besoj, se është një problem i fëmijëve e të rinjve në përgjithësi. Nëse mungon orientimi në familje, nëse nuk japin efekt masat që nga kopshti deri në shkollë, atëherë mund të ndodhë diçka e tillë, por ky është një problem i përgjithshëm, shoqëror.”

Në Mülheim jetojnë 671 bullgarë. Me ta nuk ka pasur përvojë negative, sipas zëdhënësit të bashkisë së Mynihut, Volker Wiebels. Lidhur me pyetjen, nëse tek autorët e dyshuar bëhet fjalë për përfaqësues të komunitetit rom, ai thotë se “kjo nuk është shpjeguar kështu publikisht. Nëse janë romë apo jo, deri më tani është thënë, nënshtetas bullgarë me pasaportë bullgare, që jetojnë legalisht në Mülheim.”

Konsulli i nderit, Jostmeier përmend edhe një problem të rëndësishëm të migrimit. Një pjesë e migrantëve ka vështirësi me integrimin. “Ata duan të qëndrojnë më vete. Kontrolli i organeve, zyrës së kujdesit për minorenët apo policisë është i padëshiruar. Ata e kërkojnë shumë pak  jetën shoqërore, normale, me fqinjësi.”/DW

 

Fraksion.com