AktualitetBota+Të fundit

Gazetari i televizionit TV Marti akuzohet për lajme të rreme

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), po heton lidhur me akuzat se një gazetar i shërbimit TV Marti që transmeton në Kubë dhe që ashtu si Zëri i Amerikës, është pjesë e kësaj agjencie, improvizoi një sulm me mortajë gjatë transmetimi nga Nikaragua.

Bëhet fjalë për gazetarin Tomas Regalado Jr., i biri i drejtorit të Zyrës së Transmetimeve Kubane, Tomas Regalado Sr. Zoti Regalado, i cili u vu në krye të këtij televizioni, me synimin për ngritjen e standardeve dhe praktikave gazetareske, pasi transmetuesi i financuar nga qeveria kishte transmetuar material me përmbajtje anti-semite, duke e quajtur filantropin liberal Xhorxh Soros “një hebre jo-besimtar me moral të diskutueshëm”.

Inskenim i ngjarjes

Mediat në gjuhën spanjolle “CiberCuba” dhe “Cubanos por el Mundo” kohët e fundit vunë në pikëpyetje vërtetësinë e një raporti të Televizionit Marti, të nëntorit 2018, që e paraqiste gazetarin Regalado duke raportuar nga një rrugë në Managua, kryeqyteti i Nikaraguas, kur menjëherë prapa tij ndodhi një shpërthim i vogël.

Këto media të pavarura kubane siguruan pamjet që duket se tregojnë që sulmi ishte inskenuar për t’u dukur sikur gazetari ishte nën zjarr. Videoja tregon persona të maskuar duke hedhur një objekt shpërthyes të vogël; kamera pastaj lëviz, duke u përqëndruar tek reporteri Regalado, se si ai ecën në mesin e të qeshurave të personave të përfshirë në inskenim.

Reporteri Regalado dhe kameramani i TV Martit Rodolfo Hernandez që realizuan kronikën, janë pezulluar, në pritje të një hetimi nga agjencia USAGM.

Në dhjetor, kameramanit Hernandez iu dha nga agjencia çmimi i nderuar i gazetarisë “David Burke” me motivacionin: “për vendosmëri dhe guxim dhe raportim entuziast” nga Nikaragua dhe vende të tjera në rajon.

Drejtori i agjencisë USAGM, John Lansing shkruante në një email të martën se ai “e merr seriozisht çdo shkelje të standardeve profesionale të gazetarisë në çdo rrjet të agjencisë.” Ai tha gjithashtu se pret që të gjitha rrjetet e agjencisë t’i përmbahen në raportimet e tyre “vërtetësisë, drejtësisë dhe llogaridhënies”.

Çështje besueshmërie

Alex Otaola i grupit “Cubanos por el Mundo” ishte një nga të parët që postoi videon, duke ekspozuar kronikën që ngjan si mashtrim. Nëse incidenti ishte me të vërtetë një falsifikim, manipulime të tilla me media dëmtojnë besueshmërinë e të gjitha organizatave të lajmeve dhe grupeve të opozitës që përpiqen të arrijnë audiencat në Kubë, ku qeveria komuniste kontrollon rreptësisht mediat zyrtare, tha ai.

“Nëse vërtetohet ajo që ata kanë bërë përmes një hetimi dhe del përfundimi se kanë transmatuar me të vërtetë një lajm të rremë, kjo minon të gjithë njerëzit që kanë vendosur të ngrenë zërin e tyre për të luftuar për një Kubë të lirë “, tha Alex Otaola në programin e tij të përjavshëm në YouTube, “Hola Ota-Ola”.

Regalado Sr, drejtori i Zyrës së Transmetimeve për Kubën, OCB, dhe ish kryebashkiak i Miamit, i tha gazetës The New York Times se ai është tërhequr nga hetimi që po zhvillohet ndaj djalit të tij dhe se ka në plan ta vazhdojë rolin e tij udhëheqës në organizatën mediatike.

Më herët këtë vit, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale USAGM, që mbikqyr transmetuesit ndërkombëtarë të financuar nga taksapaguesit amerikanë, përfshirë Zërin e Amerikës, autorizoi një panel ekspertësh të pavarur të gazetarisë dhe akademikë, për të shqyrtuar programimin e Zyrës së Transmetimeve për Kubën për “raste të gazetarisë joetike, joprofesionale, të njëanshme ose me cilësi të dobët”. Kontrolli shumë kritik konstatoi se ka patur “pak, ose aspak përpjekje” për të patur raportime të balancuara si nga Radio, edhe nga televizioni TV Marti. Po ashtu, u arrit në përfundimin se: “normat e mirënjohura të objektivitetit nuk janë marrë parasysh në vazhdimësi, duke ia lënë vendin taktikave të komunikimit propagandistik “.

Që nga ajo kohë është formuar një grup i përbashkët pune USAGM-OCB, për të përditësuar standardet dhe praktikat e gazetarisë, së bashku me përmirësimin e strukturës së menaxhimit.

Zyra e Transmetimeve për Kubën i ka zyrat në Miami, ajo mbikqyr Radion Martí, që filloi transmetimet në vitin 1985, dhe më pas, TV Marti pesë vjet më vonë. Në vitin 2018, Zyra e Transmetimeve për Kubën mori fonde federale me vlerën e më shumë se 29 milionë dollarëve. Transmetimet e TV Marti-t arrijnë rreth 11 përqind të popullsisë kubane, por sinjali televiziv shpesh është penguar me zhurmues nga qeveria kubane.

Radio dhe TV Martí ka kohë që janë fajësuar për gazetari të dobët dhe propagandë, si nga Departamenti i Shtetit, edhe nga hetimet e Kongresit.

Çështja e debatueshme mbi segmentin Soros, që u transmetua fillimisht në maj 2018, u bë publike muaj më vonë, pasi u ekspozua nga një bloger. Zoti Lansing e pati denoncuar segmentin Soros si “thellësisht ofendues” dhe nëntë punonjës të televizioni Marti u shkarkuan, dhanë dorëheqjen ose u vendosën në një periudhë prove për rolin e tyre në krijimin e raporteve të debatueshme.

Polemika të mëparshme

Agjencia mediatike USAGM ka patur edhe raste të shkeljeve serioze të etikës gezetareske. Një punonjës i lartë i Agjencisë Amerikane për Mediat Globale kohët e fundit pranoi fajësinë për përvetësimin e rreth 40 mijë dollarëve në fonde qeveritare, duke falsifikuar fatura të hoteleve dhe taksive dhe duke faturuar agjencinë për udhëtime personale për të promovuar librin e tij dhe për udhëtimet e fundjavës.

Më 15 tetor, gazetarë nga shërbimi i gjuhës hausa të Zërit të Amerikës, u shkarkuan, ose ndaj tyre u morën masa disiplinore, për pranimin e ryshfetit nga një zyrtar nigerian. Në një rast tjetër, shefi i shërbimit të gjuhës mandarine të Zërit të Amerikës u shkarkua, pasi lejoi një miliarder të mërguar kinez të ngrinte akuza të pabazuara kundër zyrtarëve në Pekin, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.

Edhe zoti John Lansing, edhe Drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Bennett, janë emëruar nga ish-Presidenti Barack Obama.

Presidenti Donald Trump ka zgjedhur producentin e filmave Michael Pack, një konservator, për të kryesuar agjencinë mediatike USAGM, por kandidatura e tij duhet të miratohet nga Senati./VOA

 

Fraksion.com