Dalin pamje te reja nga puçi i dështuar në Turqi; Qytetarët shtrihen para tankut
Pak para përvjetorit të tretë të tentativës për grusht shteti të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi kanë dalë pamje të reja që shfaqin qytetarët turq duke rezistuar dhe duke ndaluar një tank i cili po shkonte të ndihmojë ushtarët puçistë që u përpoqën të pushtojnë Selinë e Prefekturës së Stambollit.
Pamjet që shfaqin ndodhitë mbi Urën Haliç në Stamboll gjatë natës së 15 korrikut janë siguruar nga Anadolu Agency (AA), ndërsa në to shihet teksa qytetarët rezistues dalin para tankut për ta ndaluar atë, si dhe policia duke arrestuar ushtarët puçistë.
Nga pamjet e kamerave shihet se numri i rezistuesve rritet për kohë shumë të shkurtër, ndërsa edhe vozitësit zbresin nga makinat e tyre për të reaguar ose drejtojnë automjetet para tankut për ta penguar lëvizjen e tij.
Po ashtu, në videot e siguruara shihet teksa qytetarët largohen për kohë të shkurtër pas një ndërhyrjeje me gaz lotsjellës, por kthehen menjëherë për ta rrethuar sërish mjetin ushtarak.
Pas arrestimit të ushtarëve puçistë nga ana e policisë, shihet se si qytetarët largohen nga vendi i ngjarjes dhe trafiku rrugor mbi urë i kthehet normales nën menaxhimin e policisë, e cila përpiqet të sigurojë mbarëvajtjen duke kontrolluar komunikacionin.
Qytetarët shtrihen para tankut
Paralelisht me këtë, në disa pamje të tjera të siguruara nga AA nga autostrada D-100 në lagjen Sefaköy, shihet se si disa qytetarë pengojnë lëvizjen e një tanku, ndërsa disa të tjerë madje ulen para tij për të mos e lejuar që të lëvizë.
Siç shihet në video, edhe pse tanku përpiqet të manevrojë dhe kthehet mbrapa, qytetarët këmbëngulin në zmbrapsjen e puçistëve duke vrapuar pas tij.