AktualitetTë fundit

USAID, projekt për transparencë në shëndetësi

Në Tiranë, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) zhvilloi një projekt mbi transparencën e sistemit shëndetësor shqiptar.

Projekti synon të ulë korrupsionin nëpër spitale dhe të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve.

“Transparenca në sistemin shëndetësor shqiptar” është projekti që shumë se dy vjet ndihmoi disa institucione se si të bashkëpunonin kundër korrupsionit në shëndetësi.

Drejtorja e USAID-it në Shqipëri, Mikaela Meredith tha se projekti ndihmoi në rritjen e transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit, si dhe ndihmoi në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Projekti bashkoi organizata vendase e ndërkombëtare si dhe mediat në përpjekjet e Shqipërisë për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin. Të gjithë agjencitë shqiptare, mediat dhe shoqata i bashkon qëllimi për qeverisje të mirë dhe mbrojtje e fondeve publike nga shpërdorimi” – tha zonja Meredith.

Në projekt bashkëpunuan KLSH, Avokati i Popullit dhe ILDKPKI. Drejtuesja e projektit, Ornela Palushaj, tha se korrupsioni në sistemin shëndetësor mund të goditet, mes të tjerash, edhe me një transparencë më të madhe.

Sipas matjeve të herëpashershme të perceptimit të publikut ndaj korrupsionit nga Transparency International dhe organizata të tjera, mjekësia është një nga fushat më të korruptuara të jetës shqiptare, krahas gjykatave dhe doganave.

Një listë e gjatë rryshfetesh bashkëjeton paralelisht me listën e tarifave zyrtare në shumë specialitete, ku njerëzit kanë nevoja jetike për shërbime./VOA

 

Fraksion.com