AktualitetBota+Të fundit

Huawei në Gjermani? Jo biznes i mirë

Kina censuron me të gjithë fuqinë mediat ndërkombëtare. T’i besosh koncernit të këtij vendi zgjerimin e infrastrukturës sonë të informacionit kjo është të paktën naive mendon intendanti i Deutsche Welles, Peter Limbourg.Firma kineze Huawei kërkon të marrë pjesë në ngritjen e rrjetit 5G në Gjermani. Kjo teknologji do ta shpejtojë radikalisht hyrjen mobile në internet. Pra, një firmë kineze do të kujdeset që të vijnë tek ne sa më shpejt informacionet.

Po ajo Kinë që me të gjithë fuqinë e ka izoluar internetin e saj dhe platformat e mediave sociale. Ajo Kinë që me një investim të madh teknik kujdeset që informacionet nga Gjermania të mos mbërrijnë tek populli kinez.

Perandoria e censurës

Të gjitha ofertat e Deutsche Welles, sidomos ato në gjuhën kineze bllokohen në mënyrë masive në Perandorinë e Mesit. Puna e gazetarëve të Deutsche Welles në Kinë bëhet gati e pamundur. Vetëm me një investim të madh në software të mënjanimit të censurës bëhet e mundur, që një pjesë e njerëzve në Republikën Populore marrin informacione jo të censuruara nga Gjermania e Europa.

Këtë akt jo miqësor Pekini e ndërmerr edhe kundër ofertave në gjuhën kineze të transmentuesve të tjerë ndërkombëtarë perëndimorë, si për shembull BBC. E madje autoritarizmi kundrejt popullit është rritur ditët e fundit. Ndërkohë edhe faqet gjermanisht të gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Süddeutsche Zeitung” nuk ndiqen dot më online.

Partia Komuniste nuk dëshiron që të informohet dhe diskutohet për të drejtat e njeriut në Kinë. Edhe lajmet për fatin e ujgurëve në kampet e riedukimit apo situata e njerëzve në Tibet janë të padëshiruara. Përkundër kësaj transmentuesit kinezë në Gjermani kanë sinjal të lirë. Gazetarët kinezë lëvizin plotësisht të lirë dhe mund të raportojnë për gjithçka të papenguar. Politikanë gjermanë, edhe kancelarja e sjellin gjithmonë në vëmendje herë pas here këtë dallim me peshë të madhe. Megjithatë apeli shuhet pa ndonjë pasojë. Bllokada vazhdon.

Liria e shtypit dhe e informacionit nuk është e negociueshme

Të gjitha përpjekjet e Deutsche Welles për t’u futur në bisedime me palën kineze kanë dështuar. “Nëse ju ndalni raportimin kritik, atëherë mund të flasim”, thotë Pekini. Por liria e shtypit dhe e informacionit nuk është e negociueshme dhe përveç kësaj liria e mendimit është një e drejtë universale. Oferta e Deutsche Welles në gjuhën kineze përmban informacione nga Gjermania edhe për kulturën, ekonominë e shkencën. Ajo duhet të ngrejë një urë mediale mes popujve tanë.

Kina do të vazhdojë të shkelë me këmbë lirinë e shtypit dhe të bllokojë ofertat e Deutsche Welles, nëse këto qëndrime nuk shoqërohen me veprime. Thënë shkurt: Pekini reagon ndaj presionit.

Tani ka zëra që pretendojnë, se Huawei është një sipërmarrje private dhe nuk mund të bëhet përgjegjëse për politikën shtetërore. Kush e beson këtë është së paku naiv. Partia Komuniste e Kinës mund të kontrollojë gjithçka në Kinë. Mund të ndodhë që ajo nuk ia del të ruajë kontrollin e plotë për çdo fushë e madje në disa fusha jo kritike nuk tregon ndonjë interes. Por kjo me siguri nuk vlen për investimet disamiliardëshe të një koncerni kinez në Europë – e sidomos kur flitet për një teknologji të lartë, sensibël e të rëndësishme për sigurinë.

Është vështirë të besosh që firmat gjermane apo europiane të teknologjisë nuk janë të afta për të ndërtuar një rrjet të tillë modern. Ndoshta do të zgjaste pak më gjatë, por arti ynë inxhinierik është i vlerësuar në të gjithë botën. Biznesi i mirë bëhet kur të dyja palët janë të kënaqura. Për sa kohë që Kina nuk e lejon shkëmbimin e lirë të informacionit, një shoqëri e lirë demokratike si kjo e jona nuk mund të jetë e kënaqur. Në këtë rast duhet të jemi konsekuentë: Pjesëmarrja e Huaweit në ngritjen e rrjetit 5G nuk do të ishte biznes i mirë.

Ky artikull është publikuar së pari në rubrikën “Pena të tjera” t gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”./DW

 

Fraksion.com