AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Opozita do t’i prijë aspiratës së shumicës së shqiptarëve

“Shumica absolute e shqiptarëve të vendosur dhe mendje ndarë në betejën për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, duhet ta dijë se Partia Demokratike, opozita e bashkuar e ka dëgjuar dhe do t’i prijë aspiratës tuaj për ndryshim”,  deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha shprehet se “së bashku ne do ta kthejmë këtë maxhorancë absolute të refuzimit të regjimit, maxhorancën absolute “Rama ik”.

“Ky ndryshim nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë çështje fjalësh, por veprash dhe garancish. Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët. Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do të hapë menjëherë negociatat me Bashkimin Europian, do ta fusë vendin në rrugën e përparimit dhe zhvillimit”, shtoi ai.

Po ashtu, Basha thekson se “rruga e përparimit, kërkon një ekonomi të lirë dhe konkurrencë të ndershme. Lufta kundër monopolove, lufta kundër klientelizmit, lufta kundër kapjes së ekonomisë, lufta kundër varfërisë do të jetë sfida jonë më e vështirë.

“Shqipëria ka aq shumë pasuri dhe mundësi natyrore, sa shqiptarët mund të jetojnë të gjithë në kamje. Ata duan vetëm lirinë, vetëm konkurrencën e ndershme, që të prodhojnë dhe krijojnë me mundin dhe aftësinë e tyre. Ne do t’i hapim tregjet. Do të garantojmë konkurrencën e lirë. Do të krijojmë një mjedis, ku të lulëzojë sipërmarrja private. Liria ekonomike do të sjellë punë. Liria ekonomike do të sjellë mirëqenie. Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, tha ai.

 

Fraksion.com