AktualitetTë fundit

Video: Mbi 1 000 banorëve u mohohet e drejta për të dalë në det; Sipërmarrësit “pushtojnë” hapësirat publike në Golem

Resortet luksoze dhe sipërmarrjet private kanë “pushtuar” hapësirat publike duke u kthyer në një shqetësim për mbi 1000 banorë në bregdetin e Golemit.

Rreth 250 familje të cilat kanë investuar për të blerë shtëpi në bregdetin e “Golemit”, konkretisht pranë FAFA resort në Malin e Robit, Kavajë, nuk kanë dalje në bregun e detit dhe pa asnjë hapësirë për plazh publik. Ata gjenden në konflikt të vazhdueshëm me përfaqësues të këtyre sipërmarrjeve, të cilët dita ditës “gllabërojnë” metra të tjera plazhi në kurriz të hapësirave publike.

Agjencia Telegrafike Shqiptare pas denoncimit të marrë nga banorët e zonës ka vëzhguar nga pranë situatën. Banorët e intervistuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare theksojnë se janë dakord me investimet në sektorin e turizmit. Janë dakord që nevojiten standarde, por askush nuk mund të varros shtëpitë e blera nga 1000 vetëve, sepse do që të fitojë më shumë.
Sipas tyre nuk është lënë derë pa u trokitur, fëmijë e pleq, por askush nuk i ka dëgjuar.

Gjatë vëzhgimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare banorët e zonës së Golemit, shfaqën hapur irritimin e tyre me situatën ku ata ndodhen.

“Të pushojmë dhe ne. Kemi shtëpitë dhe rrimë mbi një muaj. Na takon me ligj. Por këto nuk na lanë asnjë cop tokë, nuk i gjen gjë. Ne pensionistë jemi”, tha një zonjë. “Ja si jemi mbledhur këtu të tërë në një pëllëmbë rërë, se privatët i zënë të gjitha pjesët. Nuk na lënë fare hapësirë”, vijon zonja.

“Ku ka hapësirë publike këtu!? Vetëm ato që kanë para kanë këtu hapësirë. S’ka njeri nga bashkia të vijë e të na tregojë se ku ndahet privati me publikun. Ne kemi një hyrje, ai ka një pallat, hotel dhe ai na merr çadrat e na i hedh matanë se është më i fortë se ne, ka para!”, thotë një zotëri tjetër.

“Vit për vit është i njëjti muhabet. Mezi na lënë një hapësirë të vogël në fillim dhe pastaj na e marrin prapë, kur vjen korriku. Na thanë tani që në korrik do e zënë. Ne kemi shkuar në bashki, por asnjë zgjidhje. I thamë bashkisë hajdeni se po zihemi”, tha një zotëri tjetër.

“Këtu s’ka plazh publik. Këtu janë zënë të gjitha nga privati. Nëse një pushues nga Kavaja ose dikush që ka banesën këtu dëshiron të dal me çadrën e tij, jo të marrë shtrat plazhi nga privati, nuk ka ku ta vendos. Nëse një hotel ka 30 dhoma, ai duhet të vendos 30 shtretër plazhi, por nuk ndodh kështu, ai vendos 60-70 apo 80 shtretër plazhi”, tha një pushues tjetër i intervistuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kanë filluar. Deri tani ishte e hapur zona, pak metra, po ishte. Tani po e marrin dhe këtë pjesë. Është e përvitshme kjo histori”, tha një zonjë për ATSH duke shprehur shqetësimin për mungesë të hapësirave publike.

Një zonjë tjetër u shpreh se s’ka më çfarë të thuash. “Vit për vit është ky avaz. Nuk kemi ç’të themi më. Tani jemi ankuar, jemi zënë me pronarët, por nuk duan t’ja dinë. Bashkia nuk vjen. Po nuk erdhi Bashkia këto nuk pyesin”, tha zonja tjetër.

Një zotëri kujtoi se ligji u jep të drejtë banorëve. “Sipas ligjit, 30% e zonës që ka marrë privati duhet të jetë publike. Këtu nuk ka. Këto që sot i sheh me çadra, nuk do jen më, do e ketë marr privati edhe këtë zonë ku ne po flasim”, tha zotëria.

“Këtu nuk po respektohet asnjë ligj. 30% apo 20% të hapësirës duhet ta ketë publiku, por këtu nuk po respektohet kjo”, tha zotëria. “Po banorët e zonës kanë ankesa. Privati nuk i lë hapësirë për të dalë plazh”, vijoi një zonjë tjetër.

“Nuk zbatohet vendimi i qeverisë për 20 apo 30%. Ne kemi 12 vjet që banojmë këtu dhe rrimë te një zonë shumë e vogël, të hedhur mbi njëri tjetrin”, tha një zotëri tjetër.

“Në bashkinë e Kavajës jemi ankuar ne me vite me radhë dhe për kosha plehrash dhe për zënien e vendit, por asnjë gjë”, tha për ATSH-në një tjetër banor i zonës.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Kavajës, Gentian Jaupi, u shpreh se është e vërtet që për shkak të disa investimeve disa miliona eurosh-e është krijuar problemi dhe me hapësirat publike.

“Për sa i përket plazheve publike kemi një problematikë të trashëguar në zonën e “Golemit” dhe “Malit të Robit”, në pjesën tjetër ka hapësira të bollshëm për plazh publik. Te zona e Golemit ka një problematikë të trashëguar për shkak të disa investimeve disa miliona euro-she me resorte dhe biznese që sjellin të ardhura të rëndësishme për arkën e Bashkisë Kavajë. Janë konkretisht 300 milionë lekë të vjetra arkëtime nga këto sipërmarrje”, tha Jaupi.

“Ne kemi ngritur grupin e punës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ku kemi dërguar dhe një shkresë për të marrë një plan masash administrative për të siguruar kushtet dhe kriteret për pushuesit që kërkojnë të kenë hapësirën e tyre për të bërë plazh publik sipas të drejtës së tyre. Resorteve, hoteleve i bëjë thirrje të respektojnë ligjin dhe kuotat ligjore për hapësirën publike. Nëse këto sipërmarrje nuk respektojnë ligjin do ketë masa administrative”, tha Jaupi.

“Unë jam Dritan Qato, përfaqësues i resortit “FAFA. Ne kemi respektuar çështjen hapësirës publike. Në zonën ku ndahen të dyja rezortet, i yni dhe ai ngjitur me ne. Kemi respektuar ligjin për zonën publike. Është pa problemë, ne respektojmë kontratat me Bashkinë”, tha ai./ata

 

Fraksion.com