AktualitetRajoniTë fundit

Ligjvënësi Eliot Engel, takime në Shkup: Maqedonia e Veriut po shkon drejt kahjes së duhur

Ligjvënësi amerikan dhe Kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel vazhdoi të dielën vizitën në Shkup. Ai u prit nga kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Ligjvënësi Engel, sipas një komunikate nga kabineti i zotit Xhaferi, ka shprehur mbështetjen e fuqishme amerikane për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe ka përshëndetur përcaktimin e Shkupit për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për guximin për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Zoti Xhaferi është shprehur se ligjvënësi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mirëqenien e rajonit dhe për suksesin e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në NATO.

Zoti Engel mbrëmë u takua me Kryeministrin Zoran Zaev. Autoritetet maqedonase shprehen mirënjohëse për rolin e ligjvënësit amerikan dhe konkretisht, për letrën që Engel së bashku me kolegun e tij Michael McCaul i dërguan Sektrearit të Shtetit Mike Pompeo në lidhje me mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për integrimet Euroatlantike.

Shkupi e shikon Amerikën si një partner të rëndësishëm strategjik, që në vazhdimësi e ka përkrahur në çdo plan vendin e vogël ballkanik.

Zoti Engel tha se “Maqedonia e Veriut po shkon drejt kahjes së duhur”.
Ndalesa e tij në Shkup është pjesë e turneut që bëri në Beograd, Preshevë, Prishtinë e Tropojë./VOA

 

Fraksion.com