Irani mohon se cisterna e naftës e ndaluar në Gjibraltar kishte destinacion Sirinë
Irani ka mohuar se një cisternë e naftës, që është ndaluar nga autoritetet britanike në Gjibraltar, po barte naftë të papërpunuar për në Siri, gjë e cila do të përbënte shkelje të sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian.
“Cisterna po barte naftë të Iranit… e kundërta e asaj që pretendon Qeveria britanike, destinacioni nuk ishte Siria”, tha zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
“Porti në Siri, që është përmendur, as nuk ka kapacitete që një cisternë e tillë të ankorohet. Destinacioni i cisternës së naftës ka qenë tjetër kund”, tha ai.
Një cisternë e naftës, që ka kapacitet të bartë 2 milionë fuçi nafte, është ndaluar të enjten nga autoritetet në Gjibraltar.
Anija është ndaluar rreth 4 kilometra në jug të Gjibraltarit, që konsiderohet se ka qenë në ujërat britanike.
Zëvendësministri Araghchi tha se cisterna e naftës po kalonte Ngushticën e Gjiblartarit për shkak “të kapacitetit të lartë”, që do të thotë se cisterna e kishte të “pamundur të kalonte përmes Kanalit të Suezit”.
Ai insistoi se cisterna është ndaluar në ujëra ndërkombëtare.
Një ditë pas ndalimit të cisternës, Irani ka kërkuar që të lirohet, por Gjykata Supreme e Gjibraltarit ka thënë se anija do të mbahet edhe për 14 ditë të tjera.
Fraksion.com