I gjenden 46 kg kanabis në shtëpi; “Kanionet” vënë në pranga 42 vjeçarin
Një operacion i policisë së Tepelenës i koduar “Kanionet” ka goditur një rast në fushën e narkotikëve, duke sekuestruar 46 kilogramë kanabis sativa.
Në vijim të kontrollit të territorit, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se një person dispononte lëndë narkotike, u organizua operacioni.
Si rezultat i operacionit, pasditen e kësaj të diele u bë arrestimi në flagrancë i A.Z., 42 vjeç, banues në Vlorë.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij në fshatin Nivicë, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 46 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Ndërkohë në oborr dhe në afërsi të banesës u gjetën disa kubikë ku ishin kultivuar fara kanabis.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
Fraksion.com