Finlanda, presidentja ndryshe e radhës në BE
Për gjashtë muajt e ardhshëm Finlanda mban presidencën e radhës në BE. Si prioritet të presidencës finlandezët vendosin klimën, por nuk harrojnë as Ballkanin.
Shishet plastike me ujë gjatë presidencës finlandeze deri në fund të dhjetorit janë tabu në „Finlandia Hall”. Ujin mund ta marrësh thjesht nga çezma në qendrën e kongreseve në Helsinki. Ushqimi nuk paketohet më në kuti plastike. „Finlandia Hall” mund ta arrish shpejt nga hotelet e kryeqytetit me tren, biçikletë ose tramvaj. Ardhja me makinë shihet me sy të keq. Organizatorët e kryesisë së radhës në BE kanë vendosur të lenë shumë pak gjurmë dëmtuese ekologjike gjatë .
Me paratë që përdoren zakonisht për dhuratat e të ftuarve, stilolapsa apo materiale konference, finlandezët duan të paguajnë kompensimin e ndotjes së klimës. Sepse pjesëmarrësit në konferencat e BE vijnë sigurisht me avion në vendin europianoverior. Për finlandezët konferencat e panevojshme do të hiqen nga programi. Po ashtu nuk do të ketë „turizëm të zyrtarëve” në Helsinki, thuhet në ambasadën finlandeze të BE në Bruksel. Konferencat tematike mund të zhvillohen po ashtu në Bruksel.
Finlandezët kanë prioritet klimën
Një presidencë të thjeshtë, sa më miqësore ndaj mjedisit ka menduar qeveria e re e koalicionit socialdemokrat e Të Gjelbërve në Finlandë. Kryeministri i Antti Rinne nuk kishte shumë kohë për përgatitje. Në zgjedhjet e parakohshme, socialdemokratët u bënë forca kryesore që prej 16 vjetësh, me pak diferencë me populistët. Si objektiv kryesor të presidencës Rinne ka paraqitur luftën kundër ngrohjes globale. „Koha për zgjidhje është tani”, ka thënë kryeministri i ri, i cili kërkon që BE të flasë me një zë për këtë çështje.
Nëse do të dëgjoheshin finlandezët, Bashkimi Europian duhej të binte në ujdi për një ekonomi neutrale të emetimit të gazrave ndotës deri në vitin 2050, pra që të mos emetohet më gazi karbonik i dëmshëm për klimën. 24 vende kanë rënë dakord ndërkohë për këtë. Finlandezët duan të bindin edhe vendet europianolindore, Hungarinë, Poloninë, Çekinë e Sllovakinë.
Të arsyeshëm e të qetë
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker lëvdoi gjatë vizitës me komisionerët në Helsinki mënyrën e qetë e reflektuese të finlandezëve. „Finlanda gjithmonë ka vendosur për rrugën europiane. Pikërisht tani Europa ka nevojë për lidership dhe stabilitet.”
Në lidhje me klimën ky vend do të dalë vetë i pari me shembullin e mirë. Që në vitin 2035, kështu e parashikon programi i koalicionit të socialdemokratëve me Të Gjelbrit, nuk duhet të emetohet më CO2 dëmtues nga Helsinki deri në pikën më veriore të vendit, Lapland. Finlandezët janë të shqetësuar, se kjo verë është më e nxehta në histori. Para një jave kur në rrethin polar u shënuar 30 grad një metereolog finlandez, Mika Rantanen shkroi „se nuk ka raste të tjera në historinë klimaterike finlandeze që tregojnë se ka qenë ndonjëherë më nxehtë se këtë fillim vere.”
Para për ruajtjen e shtetit ligjor
Finlanda duhet të kujdeset edhe për shtetin ligjor në BE. Komisioni Europian ka filluar procedurën e verifikimit për shkelje të shtetit ligjot me dy shtete, Poloninë e Hungarinë. Në buxhetin e ardhshëm të BE nga 2021-2017, fondet e BE do të lidhen me respektimin e shtetit ligjor. Se si do rregullohet kjo ende nuk dihet. Polonia e Hungaria janë vendet që marrin më shumë fonde nga BE.
Premtime për Ballkanin
Antti Rinne është shprehur po ashtu, se do të kërkojë që premtimet e bëra për hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimir, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të kthehen në data konkrete. „Finlanda ka qenë gjithmonë një mik i zgjerimeve”, tha kryeministri Rinne në Helsinki. Ky vend neutral është bërë pjesë e BE në vitin 1995, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe riorganizimit të Europës.
Një problem e ka presidenca finlandeze: Për katër muaj fillon nga puna Komisioni i ri Europian me gjasë nën drejtimin e gjermanes, Ursula von der Leyen. Nuk dihet se sa progres mund të bëhet në këto muaj për temat e kontestuara në BE. Ndoshta grindja për buxhetin do mund të zgjidhet gjatë presidencës gjermane të BE në fillim të vitit 2020.
Brexit
Dalja e Britanisë së Madhe nga BE është shtyrë dy herë, dhe pritet të realizohet më së voni në 31 tetor. Kështu presidenca finlandeze ka shumë punë për të menaxhuar Brexitin, sidomos nëse vjen puna deri tek një Brexit „i ashpër” pa marrëveshje. „Në të vërtetë ne kishim menduar, se gjatë presidencës sonë britanikët do kishin kohë që do ishin larguar, por tani ata janë sërish në tryezën e bisedimeve”, shprehet jo fort i kënaqur një diplomat i BE./DW
Fraksion.com