Thaçi: Nuk do të marrë pjesë në takimin e SEECP-së në Bosnje
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se nuk do të marrë pjesë në takimin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, (SEECP) që mbahet të hënën në Sarajevë.
Në një shkrim në rrjetet sociale ai tha se “përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim”.
Kryesuesi i presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Milorad Dodik, i ka bërë ftesë presidentit Thaçi, por ka theksuar se ai nuk është i ftuar në cilësinë e presidentit të Kosovës por përfaqësimi i tij do të jetë me një shënim (fusnotë). Shënimi ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 2012 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me të cilin i mundësohej Kosovës pjesëmarrja në forumet rajonale.
Duke refuzuar ftesën presidenti Thaçi shkroi se “Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina.
Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, shkroi presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”.
Edhe vitin e kaluar qëndrimi i përfaqësuesit serb Dodik, kishte pamundësuar pjesëmarrjen e Kosovë në takimin e këtij procesi që ishte mbajtur në Banja Llukë.
Bosnja, që është e ndarë në dy entitete, me një qeveri të brishtë qendrore në Sarajevë, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës për shkak të qëndrimit të serbëve të Bosnjës që ndjekin politikën e Beogradit, i cili kundërshton shtetësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
SEECP, është një nismë e hedhur në vitin 1996 që synon forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe shndërrimin e zonës në hapësirë të paqes, sigurisë e qëndrueshmërisë me synim kryesor për integrimin e vendeve anëtare të nismës në strukturat euro-atlantike./VOA
Fraksion.com