Politikë

“Janë turistë”; Kryemadhi: Ndërkombëtarët nuk janë zotër të Shqipërisë

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24” tha se ndërkombëtarët nuk mund të dalin kundër Kushtetutës të Shqipërisë.

Kryemadhi vlerësoi se Shqipëria është shtet sovran dhe nuk mund të përdhoset Kushtetuta.

“Më gjej një ndërkombëtar që ka përshëndetur zgjedhjet. Shqipëria është vend sovran dhe nuk ka ambasador që të dalë kundër Kushtetutës. Le të guxojnë të dalin kundër dekretit të presidentit të tyre. Nëse shkohet në gjykatë ndërkombëtare, del se shkelin sovranitetin e një vendi anëtar të NATO-s.

Ndërkombëtarët janë turistë, jo zot. Ka prej 4 vitesh që s’ka këtu më as investitorë të huaj, këtu ka prej 4 vitesh kompani fantazmë që vijnë. Ne nuk kemi investitorë të huaj që i dalin garant shtetit shqiptar, por kompani që marrin para nga Shqipëria dhe ikin”, tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se opozita dëshiron që të ndërgjegjësojë ndërkombëtarët se kush është Edi Rama dhe se kë po mbështesin.

“Të gjitha hapat e opozitës kanë qenë të kujdesshme dhe konspirative. Sot shoqëria civile dhe mediat janë të kapura nga Edi Rama. Ju vetë keni bërë pyetje që i kanë vënë në vështirësi Rama dhe të tijtë.

A e dini ju se Veliaj paguan njerëz në media për PR, Rama ka facebook-istët e vet. Ne kemi strategji. Strategjia jonë sot nuk është 13 tetori, pasi do edhe 3 muaj. Ne duam që ndërkombëtarët të kuptojnë se kush është Edi Rama. Ne dalim për të kuptuar ndërkombëtarët dhe shqiptarët se kush është Rama.”, tha Kryemadhi.

 

Fraksion.com