AktualitetNATO/BERajoniTë fundit

Polonia: Datë për Ballkanin në BE. Nuk do të pranojmë që vendet të përfshihen në një vrapim pa vijë finishi

Polonia insistoi që në deklaratën e Samitit të Poznanit Bashkimi Europian të dalë me një datë për integrimin e Ballkanit në union.

Mikpritësi i liderve të vendeve të rëndësishme të BE-së dhe shteteve të rajonit, Presidenti Andrzej Duda tha se Varshava nuk do të pranojë që shtetet e Ballkanit të jenë në një vrapim, pa një finish në horizont.

“Pa integrimin e plotë të Ballkanit, së bashku me traditat e tyre të bukura dhe kulturën e larmirshme, Europa nuk do të jetë në gjendje kurrë të marrë frymë thellë. Polonia është një vend që mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, sepse mbështet Europën e hapjes dhe solidaritetit, jo Europën e paragjykimeve të ndërsjellta, e të mbylljes nga interesa dhe frika të veçanta. Nuk është kjo Europa që duam. Si pjesë e komunitetit europian, ne jemi të detyruar të caktojmë një datë të qartë për integrimin. Polonia nuk do të pranojë që vendet e rajonit të përfshihen në një vrapim, pa një vijë finishi në horizont. Inkurajoj këtë mesazh që të jetë një deklaratë e qartë e këtij Samiti të Poznanit”, tha Duda.

Në ditën e fundit të samitit të Poznanit, në Poloni, liderët e vendeve të Ballkanit u takuan me homologët e tyre nga vendet e BE, pjesë e nismës së njohur si procesi i Berlinit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministria britanike në largim, Theresa May, kryeministri francez Edouard Philippe dhe presidenti polak Andrzej Duda biseduan me kryeministrat e rajonit, mes të cilëve ai shqiptar Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabic.

Konkluzionet e samitit u përmblodhën në një dokument prej 12 faqesh dhe prekin 5 fusha si ekonomia, lidhshmëria, siguria, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, pajtimi dhe çështjet e pazgjidhura dypalëshe.

Liderët e Ballkanit perëndimor, morën përsipër intensifikimin e përpjekjeve të bashkëpunimit rajonal për akses më të madh në Ballkanin perëndimor dhe i meshuan infrastrukturës.

Një pikë e dokumentit është edhe çështja e personave të zhdukur dhe krimet e luftës, e cila konsiderohet si një detyrë e rëndësishme. Samiti i radhës do të organizohet nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në 2020.

 

Fraksion.com