AktualitetLife StyleTë fundit

Muzika në metrotë e Nju Jorkut

Disa mund të mendojnë se muzikantët që interpretojnë në stacionet e metrosë së Nju Jorkut thjesht shfaqen aty për të fituar të holla dhe argëtojnë udhëtarët. Por nuk është kështu. Ata duhet të konkurrojnë për të interpretuar në vendet më të lakmuara. Programi “Muzikë nën Nju Jork” i qytetit ka zhvilluar konkurse që nga viti 1985. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Nina Vishneva eksploron këtë botë nëntokësore të muzikës.

Muzikantët interpretojnë në disa nga pikat më të ngarkuara të sistemit të metrosë në Nju Jork.

Është pjesë e përvojës në sistemin e famshëm të metrosë së qytetit. Por para se artistët të marrin përsipër të interpretojnë këtu, ata duhet të konkurrojnë për spotet e çmuara.

Programi ‘Muzikë Nën Nju Jork’ (MTA MUSIC) ka zhvilluar konkurse që nga viti 1985.

“Më duhet për të siguruar të ardhura! Të ardhura dhe ekspozim!”, thotë Greg Holt, muzikant.

Më shumë se 400 muzikantë janë bërë tashmë pjesë e kakofonisë melodike të sistemit të transportit publik të Nju Jorkut. Dhe çdo vit, vijnë fytyra të reja.

Të zesh vend këtu, është një fitore e madhe. Që nga janari, disa mijëra muzikantë kanë bërë audicion. Vetëm mbi 300 arritën në finale dhe prej tyre do të zgjidhen vetëm 20.

“Njerëz nga e gjithë bota luajnë dhe qarkullojnë në metronë e Nju Jorkut. Nëse unë u jap muzikën time për pesë sekonda, si një kompozitor, do të kisha bërë atë që do të kishin dashur shumë kompozitorë“, thotë Qenu, muzikant.

“Ti nuk i njeh këta njerëz, ata përpiqen të shkojnë diku, shumë prej tyre janë të zënë, të tensionuar. Por kur e mora kurajon, ndjeva se ishte diçka që duhet ta bëja…dhe kur fillova m’u shtua besimi tek vetja. Fillova të krijoja lidhje me njerëzit më shumë sesa kurrë më parë… “, thotë Ness Dove, muzikant.

Kriteret kryesore që përdoren për të zgjedhur këta muzikantë janë cilësitë, repertori i pasur dhe harmonia. Një kriter tjetër i rëndësishëm – aftësia për t’u dëgjuar mbi zhurmën e trenave që vijnë.

Zyrtarët e programit thonë se anëtarët e jurisë janë strikt, të drejtë dhe vijnë nga të gjitha fushat. Midis tyre, producentë dhe muzikantë, aktorë dhe menaxherë.

“E dua muzikën dhe artin në metro! Më pëlqen sesi e transformon udhëtimin. Mund të jesh duke ecur vetëm dhe mund të mos jetë dita jote më e mirë. Por kur dëgjon një këngë apo diçka tjetër, të ndryshon humorin… “, thotë Sandra Bloodworth, drejtoreshë e programit.

Jazz, muzikë klasike apo kantri, solo apo në grup – metroja e Nju Jorkut i ka të gjitha.

Otar Gigolashvili dhe Beka Goginashvili u kualifikuan në finale pas audicionit të tyre të parë.

Dyshja këndon në shtatë gjuhë të ndryshme dhe premton t’i japë Nju Jorkut shijen e muzikës kombëtare gjeorgjiane.

Sepse janë tingujt dhe njerëzit e ndryshëm që reflektojnë me të vërtetë përvojën në Nju Jork.

 

Fraksion.com