Zbardhet drafti, tre variantet e “Euralius” për Gjykatën e Lartë
Zbardhet opinioni ligjor i misionit Euralius për zgjidhjen e situatës në Gjykatën e Lartë, e cila në kushtet ku ndodhet nuk mund të shqyrtoje asnjë dosje, pasi ka mbetur me dy anëtarë, si pasojë e vetingut.
Ndërsa në këtë gjykatë presin për shqyrtim rreth 32 mijë dosje, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka kërkuar mendim misionit për gjetur një zgjidhje në kushtet kur aktet nënligjore për ngritjen dhe emërimin e gjyqtarëve janë ende në proces.
Euralius në opinionin e tij jep tre zgjidhje të ngërçit.
E para ka të bëjë me delegimin e gjyqtarëve nga një gjykatë tjetër me e ulët.
“As Ligji për Statusin dhe as Rregullorja ‘Mbi kriteret dhe procedurën e funksionimit të skemës së delegimit të gjyqtarëve’ të miratuar nga KLGJ-ja, nuk përjashtojnë caktimin e një gjyqtari në skemën e delegimit në Gjykatën e Lartë. Në çdo rast, ajo çfarë është e rëndësishme është që gjyqtari duhet të përmbushë kriteret për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë”.
Skema tjetër është ajo e transferimit të përkohshëm të gjyqtarëve.
“Neni 46 (1) i Ligjit për Statusin për ‘transferimin e përkohshëm’ me pëlqim është një dispozitë ndihmëse që i jep mundësi KLGj-së për të marrë masat e nevojshme në situata të jashtëzakonshme të emergjencave në gjykata, në rastet kur asnjë gjyqtar nuk është i disponueshëm në skemën e delegimit”.
Skema e tretë është ajo e caktimit të një gjyqtari për gjykimin në një çështjeje të caktuar gjyqësore në Gjykatën e Lartë.
“Këshilli mund të përdor si instrument të fundit të mundur, caktimin e gjyqtarëve për një çështje konkrete, bazuar në kompetencat që burojnë nga Kushtetuta (për të qeverisur gjyqësorin, për garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe një sistemin gjyqësor funksional). 7 Duhet të theksohet që përdorimi i këtij instrumenti ligjor duhet të jetë masa e fundit që mund të ndërmerret, si dhe të përdoret vetëm në raste te veçanta”.
Të mërkurën, Presidenti i Republikës Ilir Meta i cilësoi këto tre variante të Euralius si cënim të kompetencave të kreut të shtetit, duke thënë se ato bien ndesh me Kushtetutën.
Ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka reaguar ende për të shpjeguar nëse do të adaptojë ndonjërin prej këtyre varianteve, apo do ta lerë jashtë funksionit Gjykatën e Lartë deri në nxjerrjen e akteve nënligjore.
Fraksion.com