AktualitetTë fundit

Terrori në Kavajë; Policia jep detaje: Ja autorët

Policia e Shtetit ka bërë të ditur detaje të reja, rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Kavajë, ku dy grupe u përplasën me armë, e për pasojë humbi jetën një person dhe pesë të tjerë u plagosën.

Sipas policisë, autorët e dyshuar të ngjarjes janë dy vëllezër, të cilët janë identifikuar, ku njëri prej tyre po ruhet në spital, pasi është plagosur, ndërsa tjetri është në kërkim.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Ramazan Hasalliu, (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit Marius Ali dhe Denis Aliu.

Marius Aliu (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur. Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit Denis Aliu dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar. Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

Fraksion.com